Barometri i Turizmit i OKB-së rendit Shqipërinë me performancën më të mirë për 2023 – Rama: Jemi krenar për peizazhet tona
Barometri i Turizmit i OKB-së ka nxjerrë Shqipërinë si destinacioni me performancën më të mirë në Evropë për vitin 2023. Lajmin e bëri të ditur Kryeministri Edi Rama, i cili publikoi në rrjetet sociale statistikat e publikuara nga vetë barometri i turizmit i OKB-së. “Jemi të emocionuar dhe krenarë që na vlerësojnë për peizazhet tona të bukura, kulturën e pasur dhe mikpritjen e ngrohtë”, u shpreh Rama. Ndërsa fton turistët e huaj të vizitojnë vendin tonë, Kryeministri garanton se “Shqipëria ka diçka për të ofruar për të gjithë”.
“Nëse jeni në kërkim të aventurave në malet tona madhështore, relaksit në plazhet tona të pacenuara ose të një udhëtimi në rrugët tona historike, Shqipëria ka diçka për të ofruar për të gjithë. Ejani dhe shikojeni vetë pse të gjithë po flasin për Shqipërinë. Le të krijojmë kujtime së bashku që do të zgjasin gjithë jetën”, shkruan kryeministri.
Mbi 10 milionë turistë të huaj vizituan Shqipërinë gjatë vitit 2023, ndërkohë që shifra të larta vizitorësh vijuan edhe në fillim të këtij viti ku shifra tregojnë se vendi u vizitua nga rreth 500 mijë turistë të huaj.