Basania gabon në shtëpi, barazimi 1 me 1 me Bulqizën, ndërlikon situatën për kalimin në të dytën

Tre javë nga fundi i Kampionatit Kombëtar të futbollit për kategorinë e tretë, Basania ka bërë një hap të gabuar duke barazuar në shtëpi me Bulqizën për llogari të javës së 12-të. Ndeshja e luajtur pasditen e së dielës në fushën sportive të Bushatit ka qënë shumë e rëndësishme për Basanian, e cila me një fitore të mundshme do të vazhdonte të mbante kryesimin e tabelës së klasifikimit e shkëputur me tre pikë nga ndjekësit e saj. Por, përkundër dëshirës, Basania u gjend në disavantazh 0-1 në minutën e 58-të, ndërkohë që iu desh shumë punë dhe volum për të barazuar rezultatin në minutën e 84-të me anë të kapitenit Zagani.
Me këtë barazim, Basania vazhdon të jetë në krye të klasifikimit me 24 pikë. Por, dy pikët e lëna në shtëpi i kanë dhënë mundësi rivalëve të saj të barazohen me pikë me të. Kështu, Eagles që fitoi 7-1 ndaj Kinostudios dhe Arnisa që mundi Prestige 2 me 1 kanë të njëjtën kuotë pikësh me Basania duke hapur një garë të ashpër deri në fund të kampionatit.