Basania, surpriza e kategorisë së dytë, skuadra bushatase fiton miqësoren ndaj rivalit kryesor, Iliria
Basania, skuadra që përfaqëson zonën e Bushatit të Bashkisë Vau Dejës pritet të jetë surpriza e sezonit të ri futbollistik, 2024-2025. Edhe pse një skuadër debutuese e ardhur nga kategoria e tretë, falë një mirëorganizimi perfekt në të gjitha drejtimet, Basania e drejtuar nga trajneri Haris Lika pritet të jetë një nga skuadrat pretendente për kualifikimin një kategori më lart, një objektiv ky që realisht është shpalosur që në ditët e para të themelimit të këtij klubi katër vite më parë. Një gjë e tillë e verteton serioziteti maksimal në procesin stërvitor, por edhe paraqitja dinjitoze që ajo po bën në ndeshjet miqësore. Në kuadër të përgatitjes për sezonin e ri të kategorisë së dytë që nis me datë 21 shtator, Basania vendosi të zhvillojë ndeshjen e tretë miqësore duke pasur përballë një rival direkt të sezonit siç është Iliria e Fushë Krujës. Një skuadër kjo e formuar dhe e kompletuar me element cilësore dhe që ka si objektiv parësor vetem daljen kampion dhe kualifikimin në kategorinë e parë. Dhe, rezultati në përfundim të krejt ndeshjes ishte 1 me 2 në favor të Basanias. Autor i të dy golave për bushatasit ka qënë Albert Mila, një futbollist i formuar në Akademinë Vllaznia, ku prej dy sezonesh po spikat si golashënuesi më i mirë për ekipin e tij të Basanias. Kështu, pas fitores me rezultatin e pastër ndaj një tjetër rivali me emër si Tërbuni i Pukës, fitorja e regjistruar në transfertë me Ilirinë e Fushës Krujës, është një tregues kuptimplotë se skuadra e drejtuar nga Haris Lika ka vendosur kandidaturën e marrjes së liderit në grupin e veriut ku luajnë edhe dy skuadra të tjera me emër si Besëlidhja dhe Veleçiku.