Basha: Deputetëve t’ju hiqet imuniteti kur hetohen në SPAK, psikikët dhe ata nuk mbajnë përgjegjësi se ça thonë
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, përmes rrjetit social Facebook ka kërkuar që deputetëve t’ju hiqet imuniteti nga SPAK kur janë në hetim dhe të hetohen njëlloj si hetohet një njëlloj si një fermer i thjeshtë.
Sipas Bashës kjo është forma e vetme se si mund të jenë të barabartë në hetim dhe të mbahet përgjegjësi për deklaratat që bëjnë dhe për të ofruar politikën në shërbim të njerëzve.
Më poshtë postimi plotë:
Brenda këtij muaji ky amendament do të paraqitet nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë:
Të hiqet imuniteti i deputetëve para ndjekjeve penale nga SPAK-u.
Deputeti të mbajë përgjegjësi për deklaratat që bën.
Deputeti nuk duhet të ketë imunitet kur SPAK ndërmerr një hetim ndaj tij. Pse një fermer për një kredi të vogël shkon pa imunitet te prokurori, madje shkon dhe në paraburgim, kurse një deputet apo ministër që akuzohet se ka vjedhur 5, 50 apo 200 milionë euro nuk shkon dot pa iu hequr imuniteti me tam tame e ceremoni? E ndërkohë merr arratinë sepse e ka marrë vesh e gjithë bota siç është rasti i ish-zëvendëskryeministrit të Edi Ramës? Ky është sot burim i pengesave të drejtësisë për të vendosur para ligjit pushtetarët, deputetët, ministrat e korruptuar.
Po kështu ne do kërkojmë që Deputeti të mbajë përgjegjësi për deklaratat e tij. Dy entitete nuk mbajnë përgjegjësi sot për atë që thonë: deputetët e Kuvendit të Shqipërisë dhe personat me kartelë psiqike. Salla e Kuvendit, është kthyer në një sallë banalitetesh. Kjo duhet të marrë fund. Çdo denoncim i deputetit nga aula e Kuvendit, duhet të jetë burim për hetim nga prokuroria. Dhe hetimet ose do të çojnë para drejtësisë ata që deputeti denoncon, ose do të çojë para drejtësisë deputetin si gënjeshtar, mashtrus dhe shpifës. Vetëm kështu i japim fund politikës së privilegjeve për pushtetarët, për të ofruar politikën në shërbim të njerëzve.