Basha: Ka një komplot nga PS dhe kundërshtarët e PD-së në opozitë, që të mos ketë Reformë Zgjedhore
Lulzim Basha ka akuzuar publikisht PS dhe kundërshtarët e tij në opozitë, duke ju referuar jo me emër të drejtpërdrejtë “Rithemelimit”, për “komplot” në lidhje me Reformën Zgjedhore.
Këtë akuzë Basha e bëri gjatë një konference për shtyp, në të cilën ai trajtoi Reformën Zgjedhore dhe përpjekjet për ta bllokuar atë. Sipas tij, kemi të bëjmë me një teatër të Reformës Zgjedhore me ndihmën edhe të regjisorit të kësaj shfaqje, Edi Rama.
“A keni dëgjuar këtë javë ndonjë pyetje drejtuar aktorëve politikë nëse janë pro listave të hapura? Nëse janë për votim elektronik? Nëse janë për një zonë elektorale? Ky debat nuk ka ndodhur gjithë këtë javë. Ka një komplot nga Edi Rama dhe Partia Socialiste dhe të tjerë me të cilët bëjnë sikur shahen ditën dhe natën bëjnë pazare, që të mos ketë lista të hapura. Në funksion të këtij komploti, ndodh ajo që quhet ‘tym dhe pasqyra’. Sipas Kodit Zgjedhor, zgjedhjet zhvillohen në pranverën e vitit të ardhshëm dhe tani është koha për një sistem zgjedhor.”, tha Basha.
Sipas tij, duhen lista të hapura, barazi vote dhe Shqipëria një zonë elektorale.
“Një deputet në Vlorë zgjidhet me 8500 vota, në Kukës me 13 mijë vota. Mënyra për ta zgjidhur është Shqipëria një zonë elektorale. Kjo i jep fund edhe debatit se ku do të votojë diaspora, siç e ka Kosova apo Holanda. Ndaj dhe shfaqje si ajo e sotmja, edhe në mos qofshin të koordinuara, i shërbejnë vetëm qëllimit që të mos ketë Reformë Zgjedhore.”, tha Basha.
Basha: Kaosi i pjesës tjetër të opozitës ka pasur efekt zero
Basha, gjatë konferencës për shtyp, ka komentuar kaosin e krijuar nga ‘Rithemelimi’ në bashkëpunim me grupin e Gazment Bardhit në Kuvend. Kreu i PD-së tha se ky aksion politik ka pasur zero rezultat.
“Gratë protestuan për një akt të shëmtuar që nuk duhej të kishte ndodhur. Nuk ndihem mirë për dobësimin muskulit opozitar në këto 2 vite e gjysmë. Opozita duhet tu largohet idhujve të rremë, kauzave të rreme dhe të bashkohet me kauzat e qytetarëve. Çfarë rezultati kanë pasur? Nga kjo Rama është bërë më arrogant, më i pushtetshëm. Ligji për komisionet hetimore është 10 herë më keq. Cili është produkti? Nuk është zero, është minus. Ftesa ime është për këdo faktor opozitar që të kuptojë se rruga nuk ka prodhuar asnjë rezultat, e ka dëmtuar opozitën.”, tha Basha.