Basha: Me parimin “Ndiq paranë” dhe me vetting-un e politikanëve ne do të spastrojmë Parlamentin

Kreu i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, deklaroi të enjten se, korrupsioni është gangrena më e madhe e shoqërisë dhe zhvillimit ekonomik në vend. Sipas tij, Shqipëria ka humbur miliarda euro për shkak të korrupsionit masiv.

Basha, me këtë rast, publikoi në rrjetet sociale edhe disa nga pikat e programit për ndërhyrje të shpejt në luftën ndaj korrupsionit. Sipas tij, disa prej tyre janë: mbështetja e SPAK dhe GJKKO, themelimi i Njësisë të Zbulimit dhe Rikuperimit të Pasurive të Vjedhura, verifikimi i kontratave koncesionare dhe PPP, forcimi i KLSH dhe kthimi në një Gjykatë të Kontrollit të Shtetit me fuqi ekzekutive.

“Korrupsioni mbetet gangrena më e madhe për shoqërinë dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Shqiptarët kanë humbur mbi 10 miliardë euro për shkak të korrupsionit masiv, të shpërndarë në çdo hallkë të qeverisjes”, u shpreh Basha.

“Në programin tonë ne parashikojmë ndërhyrje të shpejta dhe konkrete për të luftuar korrupsionin. Ne do të themelojmë, sipas praktikave më të mira, Njësinë e Zbulimit dhe Rikuperimit të Pasurive të Vjedhura, për të gjurmuar kudo pasuritë e vjedhura të shqiptarëve dhe për t’ia kthyer ato arkës publike; Mbështetje e plotë dhe e gjithanshme si dhe bashkëpunim me SPAK dhe GJKKO; Ndryshime ligjore në Ligjin “Anti-Mafia”për të luftuar korrupsionin dhe abuzimet e zyrtarëve të lartë; Verifikimi i kontratave koncesionare, PPP-ve, Prokurimeve Publike dhe anullimi i çdo kontratë korruptive; Konfiskimi i pasurive të zyrtarëve publik të përfshirë në këto akte dhe PPP abuzive”, nënvizoi Basha.

Gjithashtu, ai theksoi se, Kontrolli i Lartë i Shtetit do të shndërrohet në një Gjykatë të Kontrollit të Shtetit, me fuqi ekzekutive.

“Do ta shndërrojmë Kontrollin e Lartë të Shtetit, që sot ka fuqi rekomanduese, në një Gjykatë të Kontrollit të Shtetit, me fuqi ekzekutive, vendimet e të cilit do të zbatohen menjëherë dhe pa asnjë pikëpyetje nga qeveria e ardhshme dhe nga çdo instancë e shtetit shqiptar”, u shpreh Basha.

Ai gjithashtu shtoi se, do të bëhet, rishikimi i kuadrit ligjor për pjesëmarrjen e operatorëve off-shore në tendera dhe koncesione.

“Çdo kontratë abuzive do të jetë subjekt i ligjit antimafia. “Të gjithë të barabartë para ligjit” do të jetë fakt dhe jo slogan në qeverisjen tonë. Me parimin “Ndiq paranë” dhe me vetting-un e politikanëve ne do të spastrojmë Parlamentin, qeverisjen qendrore dhe lokale nga politikanët e korruptuar, të pasuruar në kurriz të shqiptarëve – Shqiptarët duhet të dinë kush janë politikanët e korruptuar dhe kush jo”, theksoi Basha.

Ai gjithashtu premtoi heqje të imunitetit të deputetëve duke i hapur rrugë hetimit të plotë nga ana e SPAK të çdo zyrtari të dyshuar për korrupsion.

“Rishikim i Kodit Penal për ashpërsim të masave për të gjitha veprat e korrupsionit aktiv dhe pasiv”, tha Basha.

“Duke luftuar korrupsionin ne mundësojmë më shume investime, më shumë punësim, më shumë shërbime cilësore për qytetarët tanë. Sepse Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë më shumë”, theksoi ai.

A note to our visitors

This website has updated its privacy policy in compliance with changes to European Union data protection law, for all members globally. We’ve also updated our Privacy Policy to give you more information about your rights and responsibilities with respect to your privacy and personal information. Please read this to review the updates about which cookies we use and what information we collect on our site. By continuing to use this site, you are agreeing to our updated privacy policy.