Basha: Ndjesë për 2008, votoni Reformën tonë Zgjedhore. Spiropali: Radikalizmi nuk ju çoi askund
Të enjten, shumica dhe opozita parlamentare debatuan për Reformën Zgjedhore.
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, prej fillimit të fjalës së saj përshëndeti fundin e kaosit disamujor dhe rikthimin e normalitetit në Kuvend.
“Është mirë të shohësh gjithë deputetët në vendin e tyre, sepse në fund të fundit kjo është detyra e deputetit: të flasë, të japë opsione, të marrë pjesë në një kuvend ku jemi konkurrentë politikë, por nuk jemi armiq dhe nuk e luftojmë njëri-tjetrin me çdo mjet. Është tashmë e qartë se me rrugën radikale nuk shkohet askund, se flamuri i radikalizmit nuk është flamur fitoreje por disfate. Është gjithmonë mirë të ulesh dhe të gjesh fjalën dhe të biesh dakord me atë që e ke përballë. Nuk ishte sot e nevojshme t’i mundonim as ambasadorët të vinë në seancë e të na shohin si pajtohemi me njëri-tjetrin. Ne e kemi për detyrë të bëjmë punën tonë dhe është detyra jonë kushtetuese të jemi në kuvend,” tha znj. Spiropali.
Ministrja iu përgjigj përfaqësuesve të opozitës dhe kryetarit të demokratëve, Lulzim Basha, i cili më herët fajësoi kryeministrin Edi Rama për marrëveshjen e 2008-ës me ish-paraardhësin Sali Berisha për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, që sipas tij e kanë pamundësuar riardhjen në pushtet të opozitës.
“Sa i takon atyre që ngrihen edhe me forcë dhe deklarojnë se marrëveshja e 2008-ës apo edhe të tjerat janë pjesë e politikës së vjetër, dua t’i kujtoj se kanë qenë ata që e kanë ngritur lart flamurin e politikës së vjetër kur kanë qenë në partitë e tyre. Nuk e kam dëgjuar ndonjëherë z. Basha apo z. Alibeaj kur ishin ministra apo në majën e pushtetit demokrat të kenë ngritur qoftë edhe një shqetësim të vetëm sa i takon sistemit zgjedhor apo çështjeve të tjera. Nuk mund të vish pas 18 vitesh dhe të kujtohesh se nuk je pjesë e këtij sistemi e do ta kthesh përmbys sistemin. S’mund ta bësh e s’mund të na akuzosh ne që po duam të bëjmë një reformë zgjedhore në kokë tonë.
Ne ngritëm atë komision ad-hoc të reformës zgjedhore për të gjetur dakordësinë dhe për të ardhur aty me opsione që janë afër të dyja forcave politike, por edhe arsye së gjithë deputetëve. Nuk jemi aty që të presim ultimatume qesharake të njërit apo tjetrit që na detyrokan ne të votojmë një opsion apo një tjetër. Jemi aty për të adresuar rekomandimet e OSBE-ODIHR. Ky është komisioni më jetëgjatë që ka pasur ndonjëherë Shqipëria dhe më pa produkt, jo për fajin tonë, por për arsyet tuaja që ju i dini më mirë. Sa i takon listave të hapura, votat e diasporës etj. kemi ende kohë t’i diskutojmë. Kemi qenë në që këto i kemi përfshirë në programin tonë elektoral. Ka qenë ministri ynë i Diasporës që i ka propozuar dhe opsionet si mund të ndodhë,” u shpreh ministrja.
Kryedemokrati Basha i quajti justifikim dhe lojëra fjalësh deklaratat e ministres Spiropali për ngecjen e reformës.
“Produktin e keni brenda: në dhjetor të 2022 paketën e parë, në nëntor të 2023 paketën e dytë. E para, kundër vjedhjes së votës, kundër përdorimit të administratës dhe aseteve shtetërore, për ndëshkimin e praktikave korruptive që kanë shënuar zgjedhjet e kaluara sipas raporteve të OSBE-ODIHR. Dhe paketa e dytë për listat e hapura, numërimin dhe votimin elektronik, votën e diasporës dhe Shqipërinë një zonë zgjedhore.
Është e qartë pjesa më e dhimbshme për qytetarët, më e shtrenjta që doni t’i impononi shqiptarëve në tërësi, është pikërisht pazari i heshtur i interesave të ngushta për t’u mbërthyer pas karrigeve, pas servilizmit ndaj kryetarit të partisë, si produkt i Kushtetutës të 2008-ës. Unë kam kërkuar ndjesë dhe po e kërkoj ndjesën sot edhe si kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë. Shpresonim që ndryshimet kushtetuese të 2008-ës do e përmirësonin cilësinë e parlamentarëve të Shqipërisë, por në fakt e përkeqësuan atë, shkatërruan balancat kushtetuese e institucionale dhe na sollën në këtë sallë, në këtë teatër kukullash ku s’ka rëndësi çfarë thuhet e bëhet, sepse gjithçka vendoset jashtë kësaj salle kundër shqiptarëve,” u deklaroi z. Basha.
Në replikën e tij, edhe deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj tha se arsyeja pse Reforma Zgjedhore ka dështuar është se qeveria kërkoi pazare, që PD-ja zyrtare refuzon ta pranojë.
“Propozimin për Reformën Zgjedhore e kemi bërë ne në formë projektligji. Çdo palë propozon, ndërsa dy vite ju nuk sollët asnjë projekt. I vetmi produkt është yni. Hidheni në votë dhe rrëzojeni. Këtë do të bëni, jam i sigurt, sepse doni të mbani listat e mbyllura, doni të përjashtoni diasporën, por e kemi një detyrim për t’u gjykuar edhe nga publiku, nga propozimet tona,” tha z. Alibeaj.