Basha në Kongresin Amerikan: Prioritet, lufta kundër korrupsionit dhe krijimi i mundësive për shqiptarët që të mos largohen nga vendi
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u takua me kongresmenin Brian Babin, përfaqësues i Teksasit. Në këtë takim, Basha ka vlerësuar ndihmën e vazhdueshme që SHBA-ja ka dhënë dhe po jep, për luftën kundër korrupsionit, forcimin e sistemit të drejtësisë dhe shtetit të së drejtës.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Basha shkruan se e njohu kongresmenin me prioritet e PD-së, që nga lufta kundër korrupsionit, pastrimi i politikës nga politikanët e korruptuar dhe të inkriminuar, zgjedhjet e lira e të ndershme, zhvillimi ekonomik dhe krijimi i mundësive për shqiptarët që të mos largohen nga vendi.
Kryetari i PD-së Lulzim Basha, theksoi se korrupsioni është pengesa më e madhe, për zhvillimin e vendit dhe krijimin e mundësive për të rinjtë, që ata të ndërtojnë jetën e tyre në Shqipëri.
Duke u ndalur në situatën delikate të sigurisë, Basha shprehu shqetësimin për përpjekjet e Rusisë për të krijuar një vatër të re tensioni në Ballkan, dhe se ajo çfarë ndodhi më 24 shtator në Kosovë ishte shenjë e kësaj përpjekje, por falë profesionalizmit të policisë së Kosovës dhe mbështetjes së KFOR-it, fatmirësisht dështoi.
Rusia kërkon një front të ri për të tërhequr vëmendjen nga Ukraina, theksoi Basha, ndërsa shtoi se, Rusia duhet të paguajë për dëmet e shkaktuara në Ukrainë. Në këtë kuadër, Basha e njohu atë, me rezolutën për rindërtimin e Ukrainës të përgatitur prej tij, që gëzon një mbështetje të gjerë në Këshillin e Europës, për të cilën është dhe reporter.
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.