Basha: PD do e çojë në Kushtetuese projektligjin për shkëmbimin e pronave publike
Partia Demokratike do të marrë hapa për të penguar shkëmbimin apo shembjen e pronave publike, projektligj i cili një ditë më parë opozita tentoi ta heqë nga rendi i ditës në parlament si antikushtetuese, por shumica e refuzoi kërkesën.
Në një dalje me gazetarët, kryedemokrati Lulzim Basha tha se ka marrë sinjalizimet e para që pushteti qendror dhe ai vendor i kryeqytetit kanë pikasur zona “për t’ua vënë në dispozicion oligarkëve”.
Nisma e deputetit Eduard Shalsi për ndryshimin e aktit normativ të vitit 2008, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetëtore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta…” i jep dritën jeshile shkëmbimit apo shembjes së pronave publike kur ato bëhen pengesë për zhvillimin e projekteve private: “… Prona shtetërore mund të shkëmbehet me pasuri private nga ministritë, institucionet e tjera qendrore, në varësi të Kryeministrit dhe të ministrive, organet e vetëqeverisjes vendore si dhe ndërmarrjet ose shoqëritë tregtare shtetërore.”
“Sipas sinjalizimeve të para që kemi, prona me vlerë në qendrën e Tiranës do të vihen në dispozicion të personave të shpallur non-grata për shkak të korrupsionit dhe pjesëmarrjes në krim të organizuar apo ndikim të paligjshëm në çështjet zgjedhore. Të tjera prona publike me vlerë do të vihen në dispozicion të oligarkëve që po rrënojnë bregdetin dhe po ndërtojnë pa asnjë transparencë duke pastruar paratë e korrupsionit të qeveritarëve nga Vlora, në bregdet, në qendër të Tiranës etj. Partia Demokratike, që e denoncoi këtë aferë sapo u publikuan të dhënat e projektligjit të miratuar dje nga socialistët, nuk do të ndalet por do ta çojë në instancat kushtetuese e penale për të pamundësuar mafien e pronave të shkaktojë dramë të dyfishtë: duke dëmtuar interesin dhe duke tjetërsuar pronat shqiptare, dhe duke kryer një krim mbi pronarët shqiptarët, të cilëve ju tjetërsua prona nga regjimi komunist. Asgjë nuk mund ta devijojë rrugën 11-vjeçare të korruptuar të kësaj qeverie, përveç një përpjekje të përbashkët për ta larguar me votë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe një përpjekje të vazhduar për të çuar prapa hekurave këdo që abuzon me paratë e shqiptarëve,” u shpreh z. Basha.
Kreu i demokratëve shtoi se interesat e publikut shqiptar po cenohen nga interesat personale të drejtuesve kryesorë të shtetit e politikës në 34 vjet, “trekëndëshi i Bermudës”.
“Ne duam ta shkëpusim Shqipërinë nga kriza ciklike që prodhon politika, e cila ka pasoja fatale për vendin dhe shqiptarët. Dy janë shtyllat kryesore: transparenca dhe fundi i pandëshkueshmërisë apo barazia para ligjit. Prandaj kemi propozuar ligj për vetingun e politikanëve, heqjen e imunitetit të parlamentarëve, amendamentet për SPAK dhe ndryshime kushtetuese që do të kufizojnë mandatet, si mundësi që shqiptarët të përfitojnë të njëjtat të mira si qytetarët europianë përmes qarkullimit të elitave,” deklaroi kryetari i PD-së.