Basha: Penalizimi i qytetarëve të Kosovës nuk është rruga e duhur për të sjellë palët në dialog
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nëpërmjet një postimi në rrjetin e tij social Facebook, deklaroi të martën se penalizimi i qytetarëve të Kosovës nuk është rruga e duhur për të sjellë palët në dialog e as për t’i dhënë zgjidhje mosmarrëveshjeve mes Kosovës e Serbisë.
Sipas tij, Evropa nuk mund të vazhdojë të sillet sikur asgjë nuk ka ndodhur më 24 shtator dhe as të mbyllë sytë përballë përgjegjësisë së Serbisë, presidenti i së cilës sfidon hapur, duke refuzuar sanksionet ndaj Rusisë dhe duke u shfaqur në krah të Vladimir Putin.
“Skenarët për destabilizimin e gjithë rajonit janë para syve të çdokujt, ndaj është i domosdoshëm angazhim maksimal euroatlantik në dialogun Kosovë-Serbi, për zbatimin e planit franko-gjerman dhe përmbylljen me një marrëveshje që ka në qendër njohjen reciproke”, shkruan Basha.
Sipas kryetarit të PD-së, si kontribut për paqen dhe stabilitetin në Ballkan dhe Europë tani është koha që 4 vendet e mbetura të NATO-s t’i hapin rrugë anëtarësimit të Kosovës në Aleancë duke nisur me përfshirjen në Partneritetin për Paqe.