Basha prezanton draftin për Reformën Zgjedhore: Lista të hapura me sistem proporcional kombëtar!
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha propozoi të premten lista të hapura me sistem proporcional kombëtar në zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri.
Në fjalën e tij në tryezën për Reformën Zgjedhore Basha u shpreh se, “për shqiptarët dhe për demokracinë shqiptare ka ardhur momenti që sistemi zgjedhor të kthehet në qendër të debatit publik, para sesa faktorët politikë të deklarojnë se është tepër vonë”.
Zoi Basha nënvizoi se, problemi i parë dhe kryesor është zhbërja e cilësisë së përfaqësimit për shkak të ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, listave të mbyllura të sistemit rajonal proporcional, të cilat sipas tij, “qartësisht larguan të zgjedhurit nga zgjedhësit dhe kthyen grupet parlamentare dhe Parlamentin e Shqipërisë në përfaqësues të interesave të ngushta partiake dhe të krerëve të partive politike dhe në noterë të vendimeve të mazhorancës së radhës”.
Kreu i PD Basha u shpreh se preferon një mazhoritar me apo dhe pa korrektim proporcional.
Por, shtoi ai, “propozimi i Partisë Demokratike tashmë i depozituar për vendimmarrje në Komisionin e Reformës Zgjedhore, është ai për hapjen e vërtetë dhe të plotë të listave në një sistem proporcional kombëtar. Një sistem të ngjashëm me atë që vepron sot në Kosovë, që mundëson së pari barazinë e votës, ku mos të kemi më shtrembërime të tilla të sistemit ku një deputet zgjidhet në Vlorë me 8500 vota, por në Kukës me 13500 vota”.
Lidhur me votën e diasporës zoti Basha kërkoi që ajo të jetë “… e papenguar, e pamanipuluar dhe me peshë të plotë për të gjithë zonën elektorale, pra për të gjithë vendin”.
Kreu i PD kujtoi se partia e tij ka depozituar në Kuvendin e Shqipërisë ligjin për vetingun e politikanëve.
“Ne propozojmë, as më pak as më shumë, sesa rikonceptimin e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive dhe të Konfliktit të Interesit, me një autoritet për luftën kundër korrupsionit, me një drejtim kolegjial prej 5 anëtarësh të zgjedhur me një shumicë të kualifikuar 3/5, të pajisur me staf profesionist dhe kompetenca të plota ligjore, për të kaluar në lupën e kontrollit të hollësishëm me parimin ndiq paranë të 250 politikanëve kryesorë në vend vit pas viti. Jo sa herë ju bie lotaria që të kontrollohen, por vit për vit kontrolli pasurisë personale, pasurisë së familjarëve të tyre dhe shpeshherë edhe të rrethit shoqëror, ku ne e dimë siç na ka treguar problematika e deritanishme fshihen nën emra të ndryshëm pasuritë e paligjshme të politikanëve të korruptuar”.
Zoti Basha theksoi se, propozimi po kështu parashikon ngritjen e një seksioni të posaçëm brenda autoritetit për luftën kundër korrupsionit.
“Një seksion i posaçëm i cili në bashkëpunim me Shërbimin Informativ Shtetëror, me Shërbimet e Inteligjencës aleatë në NATO, me drejtoritë përkatëse shtetërore, të arrijë të verifikojë nëse deklarata e detyrueshme e çdo politikani të lartë në fillim të vitit që nuk ka kontakte të papërshtatshme me botën e krimit, është e vërtetë apo e rreme”, u shpreh kreu i PD Lulzim Basha.