Basha: PS- ‘Rithemelimi’, aleancë kundër SPAK-ut
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha paralajmëroi të premten për një ‘koalicion’ midis PS-së dhe ‘Rithemelimit’, kundër SPAK.
Basha bëri të ditur se për këtë çështje ai do të informojë edhe partnerët ndërkombëtarë.
Sipas tij, në prapaskenë shumica parlamentare dhe ‘Rithemelimi’ po përpiqen që të zhbëjnë strukturën institucionale të SPAK-ut, me qëllim për ta kontrolluar politikisht këtë institucion.
Deklarata e Bashës u bë gjatë një konference për shtyp, gjatë së cilës ai nënvizoi se qeveria po shfaq qëllimin që të demoralizojë, ngadalësojë dhe të intimidojë rezultatet e SPAK-ut, BKH-së dhe GJKKO-së.
“Autori i amnistisë së të korruptuarve që janë dënuar nga SPAK-u është Ulsi Manja, i cili shkon dhe u jep leksion prokurorëve të SPAK-ut se si duhet të luftojmë korrupsionin. Ndodhemi përpara një komploti për të kufizuar hapësirën e veprimit të SPAK-ut, për të goditur punën e tyre dhe për të frenuar atë që shqiptarët presin, dhënien fund të pa ndëshkueshmërisë dhe luftë të vërtetë kundër korrupsionit.”, tha Basha.
Sipas tij, Amnistia Penale, pas një sërë aktesh të tjera, është akti më i rëndë i qeverisë dhe atentat kundër Reformës në Drejtësi.
“Partia Demokratike është distancuar nga ky vendim i turpshëm, e ka denoncuar atë, i ka paralajmëruar deputetët që të mos votojnë. Bënë bashkë votat për të amnistuar të dënuarit për korrupsion, ndërkohë që nga amnistia nuk përfitojnë protestuesit kundër korrupsionit”, tha Basha.