Basha: Shqiptarët janë ngopur me fjalë boshe! Beteja jonë për të ardhmen e vendit
Kryetari i PD zyrtare, Lulzim Basha, gjatë një takimi me simpatizantët dhe mbështetësit e PD-së, të degës 12 në Tiranë, u shpreh se situata në të cilin ndodhet vendi, po largon të rinjtë nga vendi.
Sipas tij, Kjo qeveri dhe Kryeministri Edi Rama po i përzë të rinjtë nga Shqipëria, sepse ka vetëm fjalë boshe dhe nuk i ofron asnjë shpresë që ata të qëndrojnë këtu”.
“Shqiptarët janë ngopur me fjalë boshe. Shqiptarët kanë nevojë për shpresë. Shpresa vjen përmes alternativës, alternativë do të thotë program. Që programi të jetë i besueshëm ai duhet të bazohet në njohjen reale të problematikave. Është ndryshe ta lexosh dhe ndryshe ta ndjesh dhimbjen e fermerit që është shtyrë në kufijtë e falimentimit për shkak të qeverisë më të korruptuar që ka njohur Ballkani”, tha Basha.
Sipas tij, nga tjetër e kufirit, fermerët e Kosovës I gëzohen fryteve të djersës së tyre, sepse kanë në krah subvencionet shtetërore, kanë në krah infrastrukturën, kanë aksesin në treg. Nuk kanë një qeveri që punon me grosistët për të sjell mallrat ë skaduara që konkurrojnë djersën e fermerëve. Dhe këtu shikon fermerin e rrënuar, të lodhur, të drobitur, të bërë pishman që I ka hedhur kursimet e jetës sepse në vend që t’i kthehen në bekim, i janë kthyer në borxh”, tha Basha.
Duke komentuar situatën e brendshme politike që po kalon opozita, Basha tha se ,”ne nuk e bëjmë betejën për veten tonë, nuk e bëjmë thjesht dhe vetëm për trashëgiminë politike të Partisë Demokratike, por e bëjmë për fëmijët e Shqipërisë e bëjmë për të rinjtë dhe të rejat shqiptare, sepse ne besojmë se e nesërmja do të jetë ndryshe dhe që nuk do të vazhdojë me errësirën e sotme, por hap pas hapi do ta kthejmë në dritën e shpresës në sytë e çdo prindi dhe çdo shqiptari”.