Basha takon McCaul: Mbështetja për SPAK dhe vetting-u në politikë, prioritet tona
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka zhvilluar një takim me kryetarin e Komisionit të Punëve të Jashtme të Kongresit të SHBA-së, Michael McCaul me të cilin diskutoi për situatën në Shqipëri dhe në rajon.
I ndodhur prej ditësh në Washington, Basha ka shprehur mirënjohjen e tij dhe të PD-së, për ndihmën dhe mbështetjen që SHBA-ja, i kanë dhënë Shqipërisë dhe kombit shqiptar në kohë të vështira dhe sfiduese, por edhe ne ditët e sotme në funksionimin e shtetit ligjor, luftën kundër korrupsionit dhe funksionimin e demokracisë.
Korrupsioni është një nga shqetësimet kryesore në Shqipëri, theksoi Basha, i cili ka impakt në zhvillimin e vendit dhe konkurrencën e lirë. Institucionet e reja të drejtësisë, e veçanërisht SPAK, kanë nisur një betejë të fortë kundër korrupsionit me rezultate të prekshme. Sipas Bashës, PD-ja i mbështet dhe i inkurajon ato ta vazhdojnë këtë betejë në nivelet e larta, pa rënë pre e presionit apo shantazheve politike të cilat, fatkeqësisht janë shtuar kohët e fundit.
Gjatë takimit u diskutua rreth zhvillimeve në rajon dhe veçanërisht në Kosovë. Basha ka kërkuar që sa më parë të bëhen të ditur, jo vetëm përgjegjësit, por edhe urdhëruesit e sulmit të 24 shtatorit ne Banjskë, e cila ishte qartësisht një tentativë si ajo e Krimesë, për të aneksuar territor të Kosovës.
McCaul theksoi se komisioni dhe Kongresi po i ndjekin me vëmendje zhvillimet në Shqipëri, Kosovë dhe Rajon dhe konsideroi si thelbësore, që Shtetet e Bashkuara të forcojnë angazhimin ndërkombëtar me aleatët, të kundërshtojnë politikat agresive të kundërshtarëve dhe të avancojnë interesat e përbashkëta të kombeve, në mbrojtje të stabilitetit dhe demokracisë në mbarë globin.