Basha: Të rinjtë po largohen nga shpërfillja e një qeverie që nuk i ofron siguri për të nesërmen
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka uruar studentët dhe pedagogët që nisën sot vitin e ri akademik .
Përmes një mesazhi në rrjetin social Facebook, Basha, ka uruar një vit të mbarë, ndërsa ka renditur problematikat me të cilat studentët hasen.
Kreu i PD-së , nuk e ka lënë jashtë vëmendjes protestën e studentëve të mjekësisë, duke u shprehur se vendimi i tyre për bojkotin e mësimit është i drejtë.
“Fatkeqësisht, ky vit akademik po nis me bojkot të mësimit nga studentët e Mjekësisë, të cilët me të drejtë kundërshtojnë ligjin anti-kushtetues dhe anti-demokratik të ndalimit të dhënies së diplomës së mjekut me kushtin e punësimit prej disa vitesh brenda vendit”, tha kreu i PD-së.
Sipas tij, studentët largohen nga vendi jo nga dëshira por sepse nuk kanë mundësi, nuk kanë kushte, nuk kanë punë e pagë dinjitoze për të ndërtuar një jetë të mirë në vend, largohen nga shpërfillja e një qeverie që nuk i dëgjon dhe nuk i ofron siguri për të nesërmen.
“Largohen nga shpërfillja e një qeverie që nuk i dëgjon dhe nuk i ofron siguri për të nesërmen”, tha Basha.
Partia e Lirisë, Ilir Meta : Universitetet duhet të jenë djepi i mendimit, por qeveria ka ndërmarrë hapa për tkurrjen e auditorëve
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u ka uruar studentëve dhe pedagogëve sukses në nisjen e këtij viti të ri akademik.
Meta shkruan se universitetet e Shqipërisë duhet të jenë djepi i mendimit shkencor, i mendimit kritik profesional dhe i zhvillimit të gjithëanshëm.
Në një reagim në Facebook, Meta shprehet se studentët janë shpresa dhe vetë e ardhmja e transformimit social, ekonomik e kulturor të Shqipërisë.
Ndërsa thekson se “jeta universitare është goditur vit pas viti, vendim pas vendimi, nga qeveria shqiptare”, duke shtuar se “ka ndërmarrë hapa destruktivë për të tkurrur auditoret dhe kontrolluar profesorët”.
“Çdo qytetar i jep shoqërisë nga vetja duke e formësuar atë, por askush më tepër se studentët. Studentët janë shpresa dhe vetë e ardhmja e transformimit social, ekonomik e kulturor të Shqipërisë. Në një kohë kur vendet Europiane, e mbështesin arsimin universitar, kërkimin shkencor, inkurajimin e zgjerimit të profesoratit, qeveria shqiptare ka ndërmarrë hapa destruktivë për të tkurrur auditoret dhe kontrolluar profesorët, përfundon mesazhin e tij kreu i PL-së.