Basha uron Talat Xhaferin: Maqedonia e Veriut dëshmoi një standard shembullor për bashkëjetesën ndëretnike
Kreu i Partisë Demokratike ka uruar Talat Xheferin, i cili u zgjodh kryeministër i Qeverisë teknike të Maqedonisë së Veriut, duke u bërë shqiptari i parë që mban këtë post në vendin fqinj.
Në një postim në Facebook, Basha shkruan se Maqedonia e Veriut dëshmoi sot, sipas tij, një standard shembullor për bashkëjetesën ndëretnike dhe rolin e shqiptarëve si faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor.
“Urime të përzemërta Talat Xhaferit, Kryeministrit të parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Pa vizionin, përkushtimin dhe vendosmërinë e Ali Ahmetit, kjo do të ishte e pamundur. Roli konstruktiv dhe përkushtimi ndaj vlerave euroatlantike i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut ka qenë përcaktues për anëtarësimin në NATO dhe në hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Maqedonia e Veriut dëshmoi sot një standard shembullor për bashkëjetesën ndëretnike dhe rolin e shqiptarëve si faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor. Duke i uruar suksese kryeministrit Talat Xhaferi, shpreh shpresën dhe besimin që rruga europiane e Maqedonisë së Veriut të vazhdojë pa u ndalur”, shkruan Basha.
Me 65 vota pro dhe 3 kundër, deputetët në Maqedoninë e Veriut votuan Qeverinë teknike e cila do të jetë në funksion 100 ditë. Qeveria teknike e Xhaferit ka mandat organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare të caktuara për 8 maj.