Basha vijon takimet në Parlamentin Europian: Duhet një hetim i shpejtë dhe i plotë i ngjarjeve në Banjskë
Kryetari I PD, Lulzim Basha, ka vijuar sot me takimet në Parlamentin Europian në Bruksel. Nëpërmjet një postimi në facebook, Basha shkruan se në qendër të diskutimeve ka qenë Kosova dhe procesi i dialogut me Serbinë.
Kryetari I PD, Lulzim Basha, ka vijuar edhe ditën e sotme me takimet në Parlamentin Europian në Bruksel. Nëpërmjet një postimi në facebook, Basha shkruan se në qendër të diskutimeve ka qenë Kosova dhe procesi i dialogut me Serbinë.
Basha shkruan se vlerëson qasjen që ka pasur Parlamenti Europian ndaj Kosovës dhe theksoi se sot është më e rëndësishme se kurrë që vendet anëtare të BE dhe NATO të cilat ende nuk kanë njohur Kosovën, ta marrin një hap të tillë në interes të paqes në rajon dhe Europë.
“Në biseda me eurodeputetë dhe drejtues të Parlamentit Europian diskutuam për domosdoshmërinë e procesit të integrimit të vendeve të rajonit në BE. Një vend të veçantë në takime zuri Kosova dhe procesi i dialogut me Serbinë. Vlerësova përkushtimin e PE dhe qasjen e tij ndaj Kosovës dhe zhvillimeve të fundit. Është shumë i rëndësishëm një hetim i shpejtë e i plotë i ngjarjeve në Bajnskë për të nxjerrë para drejtësisë organizatorët dhe urdhëruesit e sulmit ndaj policisë.
Sot është më e rëndësishme se asnjëherë, që vendet anëtare të BE dhe NATO, të cilat ende se kanë njohur Kosovën ta ndërmarrin një hap të tillë si interes për paqen dhe rajonin në Europë. Në diskutime dhe debate të veçanta në Parlamentin Europian u diskutua për sigurinë dhe të ardhmen e Rajonit dhe Europës përballë kërcënimeve të sigurisë”- shkruan Basha.
Kryedemokrati në takimet e zhvilluara në ditët e mëparshme me zyrtarë evropianë, shprehet se i ka prezantuar ata me projektligjin e depozituar në Kuvend për vettingun në politikë.