Bashkëpunimi ekonomik dhe investimet amerikane, Meteja takon të dërguarin e SHBA-së
Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete është takuar këtë të hënë (23 tetor) me të Ngarkuarit me Punë në Ambasadën e SHBA Devid Uisner (David Wisner). Në fokus të takimit mes tyre ka qenë thellimi i bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe rritja e mëtejshme e investimeve amerikane në vendin tonë.
Në fjalën e tij, Mete vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme amerikane në zbatimin e reformave të nisura në një sërë sektorësh, përfshirë këtu edhe mbështetjen financiare të USAID, apo përmes ekspertizës në disa fusha.
Ministri Mete dhe Uisner ndanë interesin e përbashkët për të rritur bashkëpunimin dhe marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve.
Mete theksoi se qeveria shqiptare mirëpret rritjen e investimeve amerikane në Shqipëri, në sektorë prioritarë të ekonomisë.
Gjatë takimit u vlerësua edhe mbështetja financiare që qeveria e SHBA-ve jep për vendin tonë përmes USAID, në fusha si energjia, infrastruktura e bujqësia, me kontribut të drejtpërdrejtë në rritjen e qëndrueshme ekonomike.
E pranishme në këtë takim ishte edhe Drejtuesja e Lartë e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Mischere Kawas.
Që nga viti 1992, USAID, siç njofton zyrtarisht në faqen e tij zyrtare, ka investuar mbi 500 milionë dollarë në Shqipëri, duke dhënë mbështetje në disa sektorë prioritarë.