Bashkëpunimi i AMA me TikTok, Krasniqi: Bllokohen qindra video pirate dhe dhjetëra video me përmbajtje të dëmshme
Vetëm pesë ditë pas nisjes së bashkëpunimit të AMA-s me platformën TikTok, raportimet e përmbajtjeve të dëmshme të publikuara në këtë platformë, numërohen me dhjetëra.
Sipas njoftimit të kryetares së AMA-s, Armela Krasniqi, bëhet fjalë për përmbajtjet që përmbajnë dhunë, gjuhë urrejtje, abuzim me fëmijët dhe të komuniteteve apo shkelje të të drejtave themelore.
Siç ka njoftuar sot Krasniqi në rrjetet e saj zyrtare, vetëm për 5 ditë kanë mbërritur në AMA 85 ankesa, të cilat pasi janë shqyrtuar nga ekipet ligjore dhe të Këshillit të Ankesave në AMA, janë raportuar në platformën TikTok, për shkelje të ligjit, 40 prej tyre. Nga këto 23 janë hequr nga platforma TikTok dhe 17 janë në proces.
Sipas të dhënave të publikuara nga Krasniqi, videot e fshira përmbanin:
-7 video ekspozimin e fëmijës ndaj pornografisë, narkotikëve, alkoolit, duhanit dhe dhunës;
-U fshinë nga platforma 5 video me përmbajtje që nxitësin dhunë dhe urrejtje, apo video me përmbajtje të veprave penale;
-4 video me akte dhune;
-1 video me urrejtje fetare
-1 video tjetër për gjuhë urrejtje për shkak të orientimit seksual.
Ajo që dallon në të dhënat e publikuara nga Kryetarja e AMA-s, janë rastet e piraterisë. Për të njëjtën periudhë, pra vetëm për 5 ditë, janë raportuar për pirateri të produktit audioviziv 156 video, ndër të cilat 112 janë fshirë nga platforma ndërsa 20 profile janë mbyllur menjëherë për të njëjtën arsye, pasi janë raportuar videot që ato përmbanin.
“Nuk kishim parashikuar një fluks të tillë raportimesh. Falenderuese ndaj qytetarëve që kanë raportuar duke dëshmuar ndjeshmëri të lartë publike dhe besim tek institucioni. Falenderuese për këtë bashkëpunim me TikTok. Shumë punë kemi përpara“, ka shkruar Krasniqi.