Bashkëpunimi me KOKSH, Lojërat Olimpike “Paris 2024” ekskluzivisht në RTSH
Radiotelevizioni Shqiptar (RTSH) dhe Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) kanë firmosur një marrëveshje bashkëpunimi. Dokumenti u firmos nga drejtori i Përgjithshëm i RTSH, Alfred Peza dhe nga presidenti i KOKSH, Fidel Ylli.
Në një vizitë gati dyorëshe në zyrat e KOKSH-it, z. Peza është njohur me platformat virtuale të institucionit më të lartë të olimpizmit shqiptar, duke parë nga afër zyrat mediatike dhe projektet për zhvillimin e studiove të reja televizive.
Drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së vizitoi edhe palestrat e mundjes dhe të peshëngritjes dhe përgëzoi Komitetin për gjithçka ka organizuar.
Por sa e rëndësishme është marrëveshja e re mes RTSH-së dhe Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar?
“Për ne kjo do të ketë një vizibilitet shumë herë më të madhe seç kemi ne në rrjetet tona sociale. RTSH është gjigandi më i madh mediatik”, u shpreh z. Ylli.
Lojërat Olimpike “Paris 2024” janë një ekskluzivitet i Radio Televizionit Shqiptar dhe Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar do të ofrojë gjithçka direkt nga sportistët shqiptarë dhe kosovarë nga Parisi, të cilat më pas do të transmetohen në RTSH.
“Momenti i parë dhe më i rëndësishmi i këtij bashkëpunimi do të jenë Lojërat Olimpike “Paris 2024”, për të cilat RTSH ka të drejtat ekskluzive dhe ne do të sjellim aty të gjithë frymën e lojrave më të vjetra të historisë së njerëzimit, në një mënyrë moderne, për ta përcjellë atë frymë tek e ardhmja, tek brezat”, u shpreh z. Peza.
Firmosja e marrëveshjes ndodh vetëm pak ditë para nisjes së Lojërave Olimpike “Paris 2024”, një ekskluzivitet i RTSH, evenimenti më i rëndësishëm olimpik ku Shqipëria përfaqësohet nga një ekip me 8 sportistë.