Bashkia pastron, banorët ndotin – Rishfaqen mbetjet e ngurta në lagjen “Ajasëm”
Disa muaj më pare, Bashkia Shkodër realizoi pastrimin e territorit në lagjen “Ajasëm” , që ishte i ndotur nga mbetje të ngurta dhe nga mbeturina të ndryshme.
Siç shikohet në pamje, Bashkia ka vendosur një rrjetë metalike për të bllokuar hyrjen dhe për të mos lejuar mjetet që të shkarkojnë mbetjet në këtë zonë. Megjithatë, kjo gjë nuk i ka penguar aspak banorët, të cilët vijojnë të ndotin në masë zonën në fjalë.
Mbetjet janë një problematikë konstante për Shkodrën, kryesisht inerte, të cilat prej vitesh kanë kthyer zona të caktuara në vend-depozitime të paligjshme duke sjellë një imazh të shëmtuar për mjedisin dhe dëm për komunitetin.
Pa marrë parasysh apelet dhe aksionet e vazhdueshme të Bashkisë, çdo ditë në këtë rrugë hidhen tonelata mbeturinash dhe inertesh të ndryshme.
Edhe pse në disa raste ka patur premtime se personat që ndotin ambjentin duke hedhur inerte do të ndëshkohen me masa administrative gjobë, sporadike kanë qenë rastet kur personat e papërgjegjshëm janë përballur me ligjin.
Në të njëjtën kohë, nuk dihet ende se deri kur kjo situatë e papranueshme do të vijojë të jetë në këtë gjendje.
Këto pamje janë vërtet skandaloze, pasi mbetjet “lulëzojnë” çdo ditë.