Bashkia Shkodër, dëgjesë publike / Konsultohen rregulloret për kundravajtjet dhe menaxhimin e mbetjeve
Një rregullore e re për “Caktimin e disa kundravajtjeve administrative dhe sanksionin që vendoset për to në territorin e Bashkisë Shkodër” dhe Rregullorja “Për menaxhimin e mbetjeve urbane” është konsultuar me publikun në sallën e Këshillit Bashkiak të Shkodrës.
Ka qënë kryetari i Këshillit Bashkiak, Oltion Luli, i cili në nisje të dëgjesës vlerësoi rëndësinë e këtyre dy rregulloreve që janë hartuar nga specialistët e Bashkisë Shkodër.
Të pranishëm në këtë dëgjesë, qytetarë dhe anëtarë të Këshillit Bashkiak janë njohur me masat e reja që ka hartuar Bashkia Shkodër për kundravajtjet të cilat do të dënohen me gjobë nga 5-20 mijë lek të reja, të ndara në kategori për qytetarët dhe bizneset.
Gjatë këtij takimi të pranishmit kanë shprehur edhe mendimet e tyre sa i takon rregullores, e cila do të miratohet në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Bashkiak.
Për mbetjet urbane, në bazë të rregullores së re, është diskutuar edhe ndarja me fasha orare të depozitimit të mbetjeve urbane në qytet , një skemë e cila pritet të përmirësojë cilësinë e shërbimit për pastrimin e mbetjeve urbane në qytetin e Shkodrës.