Bashkohet tregu energjetik Shqipëri-Kosovë
Duke nisur nga data 1 shkurt, ankandet e Ditës në Avancë në Bursën Shqiptare të Energjisë Elektrike, ALPEX do të zhvillohen si bashkim tregjesh mes Shqipërisë dhe Kosovës, njofton Scan TV.
Bashkimi i tregjeve mes 2 vendeve ishte paralajmëruar vitin që shkoi, ndërkohë që njoftimi zyrtar për 2 zonat e ofertimit është bërë nga ALPEX, duke konsideruar ditën e parë të lëvrimit 1 shkurtin.
Numri i kompanive të anëtarësuar në bursë ka ardhur në rritje që nga nisja e operimeve, në datën 11 prill 2023. Aktualisht, numri i kompanive private shqiptare që janë bërë pjesë e Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike ka arritur në 12.
Ndërkohë që, së bashku me 5 kompanitë shqiptare publike të energjisë, që ishin të parat që u antarësuan, numri total i subjekteve shkon në 17. Ndërkohë, sa i takon Kosovës numri i kompanive të listuara ka shkuar në 4.
E para që nënshkroi marrëveshjen e anëtarësimit ishte Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut, që është kompania publike e transmetimit të energjisë në Kosovë. Më pas, pjesë u bë edhe Korporata Energjetike e Kosovës, që është prodhuesi publik dhe në të njëjtën kohë prodhuesi më i madh i energjisë elektrike në Kosovë, i cili operon me dy termocentrale, TC “Kosova A” and TC “Kosova B”.
Anëtare është edhe kompania Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike, që ka funksionin e Furnizuesit të Shërbimit Universal të energjisë elektrike në Kosovë, si dhe një kompani tjetër private. Në total numri i kompanive që mund të kryejnë transaksione të shit –blerjes për 2 zonat ofertuese është 21.
Krijimi i një tregu të përbashkët energjetik është i favorshëm për secilin shtet. Kjo pasi që siguron rrjedhje më të sigurtë të energjisë, alokim më të lehtë të kapaciteteve, tregtim më të shpejtë dhe më të lirë, si dhe siguron çmim më të përballueshëm për konsumatorët.
Përveç rritjes së transparencës dhe uljes së çmimeve, bashkimi i tregjeve energjetike Shqipëri – Kosovë parashikohet të sjellë edhe rritje të sigurisë energjetike. Kjo duke marrë në konsideratë se Shqipëria e prodhon energjinë elektrike kryesisht nga uji, ndërsa Kosova nga termocentralet, duke mundësuar një treg me shumllojshëmri produktesh.
( Sipas SCANTV )