BE arrin marrëveshjen për migracionin dhe azilin, KE: Do rishikohet kuadri ligjor
Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE arritën një marrëveshje politike mbi Paktin për migracionin dhe azilin pas bisedimeve të nisura të hënën. Këshilli i BE vuri në dukje se pas marrëveshjes së përkohshme, puna do të vazhdojë në nivel teknik në për të pasqyruar detajet e rregulloreve të reja dhe më pas, do t’i dorëzohet përfaqësuesve të shteteve anëtare për miratim.
Zv.presidenti i Komisionit Evropian Margaritis Shinas theksoi se marrëveshja parashikon një mekanizëm të fortë solidariteti ku sigurohen që shtetet anëtare të marrin gjithmonë mbështetjen që u nevojitet. Komisionerja e BE për punët e brendshme Ilva Johanson e quajti paktin jo vetëm një fitore për BE-në dhe Evropën, por edhe për migrantët. Në të njëjtën linjë ishte edhe presidentja e Parlamentit Evropian Roberta Metsola “20 dhjetori 2023 do të hyjë në histori si dita që BE arriti një marrëveshje historike për një grup të ri rregullash për menaxhimin e migracionit dhe azilit.” shkroi ajo në X.
Pesë shtyllat e BE-së për të cilat u ra dakord prekin të gjitha fazat e menaxhimit të azilit dhe migracionit, duke filluar nga kontrollimi i migrantëve të parregullt kur mbërrijnë në kufirin e BE, marrja e të dhënave biometrike, procedurat për përgatitjen dhe trajtimin e kërkesave për azil, rregullat për përcaktimin se cili shtet anëtar është përgjegjës për trajtimin e një kërkese për azil dhe bashkëpunimin e solidaritetin ndërmjet shteteve për mënyrën e trajtimit të krizave. Pakti u kundështua nga Emnisti Internejshënëll. Organizata tha se marrëveshja do të çojë në shtim të vuajtjeve për azilkërkuesit, refugjatët dhe emigrantët në çdo hap të udhëtimit të tyre.