BE: Asociacioni është detyrim i Kosovës, të nisë menjëherë, pa vonesa dhe pa kushte
Bashkimi Evropian ka përsëritur thirrjet që Kosova të nisë menjëherë e pa vonesa punën në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Zëdhënësi, Peter Stano, përsëriti se BE-ja ka thënë qartë se formimi i Asociacionit duhet të fillojë menjëherë pa vonesa dhe kushte.
“Si do të bëhet, në çfarë mënyre, në çfarë forme do të jetë, do të diskutohet në dialog. Dialogu është platforma ku do t’i zgjidhim këto çështje. Procesi i negociatave duhet dhe do të jetë në dialog, jo në media dhe publik”, ka deklaruar ai.
Stano ka theksuar se Asociacioni është një obligim ndërkombëtar që Kosova e ka marrë, duke ritheksuar se çështjet teknike, si do të duket, si do të funksionojë, çfarë statuti do të ketë, janë gjëra për të cilat do të punohet në dialog.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka bërë të ditur se Bashkimi Evropian po monitoron me kujdes situatën në veri të Kosovës.
Ai në konferencën për shtyp, ka theksuar se janë në kontakt me autoritetet kompetente për të kuptuar plotësisht zhvillimin e ngjarjeve dhe nëse është e nevojshme të mund të reagojnë siç duhet.
Stano ka deklaruar se kjo është thënë qartë edhe në deklaratën e përbashkët të 27 anëtarëve të BE-së. “Aty thuhet gjithçka, si dhe të gjitha pritjet e BE-së sa i përket Forcave të Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës”, ka thënë ai. RTK