BE dhe SHBA : Serbia të trajtojë shqetësimet mbi zgjedhjet. Erdogan dhe Aliyev urojnë Vuçiq
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara i kërkuan Serbisë të adresojë shqetësimet në lidhje me procesin e saj zgjedhor pasi vëzhguesit e pavarur gjetën parregullsi shqetësuese, përfshirë blerjen e votave gjatë zgjedhjeve të parakohshme të së dielës.
“Ne konkludojmë me shqetësim se procesi zgjedhor kërkon përmirësim të prekshëm dhe reforma të mëtejshme, pasi funksionimi i duhur i institucioneve demokratike të Serbisë është në thelb të procesit të pranimit të Serbisë në BE“, thanë komisionerët e BE Josep Borrell dhe Oliver Varhelyi në një deklaratë të përbashkët.
Ndërsa Presidenti turk Tayip Erdogan dhe ai i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev kanë uruar presidentin serb Aleksandër Vuçiq mbi fitoren.
“Rezultatet e votimit pasqyrojnë qartë vlerësimin dhe mbështetjen e lartë të popullit tuaj për politikën që zbatoni për zhvillimin dhe prosperitetin e Serbisë, si dhe besimin e madh tek ju. Marrëdhëniet tona me Serbinë, një vend mik dhe një partner i besueshëm, janë të një rëndësie të veçantë për ne. Ne jemi shumë të kënaqur me nivelin aktual të marrëdhënieve tona ndërshtetërore të bazuara në besimin dhe mbështetjen e ndërsjellë dhe bashkëpunimin efektiv në fusha të ndryshme, i cili po zgjerohet dita-ditës. Dialogu aktiv politik mes nesh luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta”, thanë ata.