BE hap javën e ardhshme bisedimet e zgjerimit me Ukrainën dhe Moldavinë
Vendet e Bashkimit Evropian kanë miratuar zyrtarisht nisjen e negociatave të pranimit me Ukrainën dhe Moldavinë javën e ardhshme, një tjetër hap në rrugëtimin e gjatë të dy vendeve për t’u bashkuar me bllokun 27-vendesh.
Belgjika, e cila aktualisht mban presidencën e Bashkimit Evropian, tha se vendet anëtare kanë rënë dakord për një kornizë negociuese.
“Kjo hap rrugën për nisjen e negociatave të martën, më 25 qershor, në Luksemburg”, tha presidenca belge.
Pas një vlerësimi pozitiv nga dega ekzekutive e BE-së, krerët e BE-së kishin rënë dakord tashmë vitin e kaluar që negociatat e pranimit duhet të fillojnë me të dy vendet.
Procesi midis fillimit të negociatave me Ukrainën dhe fqinjin e saj Moldavinë dhe anëtarësimit të tyre në BE mund të zgjasë shumë vite.