BE kritika Mongolisë që nuk arrestoi Vladimir Putinin: Nuk morën parasysh detyrimet e parashikuara nga GJNP!
Bashkimi Evropian (BE) e ka kritikuar Mongolinë të martën për dështimin e saj në zbatimin e fletarrestimit të lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) për arrestimin e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, gjatë vizitës së tij në këtë vend.
“BE-ja shpreh keqardhje që Mongolia, një vend anëtar i Statutit të Romës së GJNP-së, nuk e përfilli detyrimin e vet sipas këtij statuti për ta zbatuar fletarrestimin”, tha blloku në një komunikatë.
Të martën, Putini u takua me presidentin e Mongolisë, Ukhna Khurelsukh, në Ulan Bator, gjatë vizitës së tij të parë në një vend anëtar të GJNP-së, prej se kjo gjykatë lëshoi fletarrestim kundër tij në mars 2023.
Putini kërkohet për dëbimin dhe dërgimin e paligjshëm të fëmijëve ukrainas nga pjesët e pushtuara të Ukrainës për në Rusi, prej se e urdhëroi pushtimin e plotë të Ukraiëns në shkurt 2022.
Një zëdhënës i Qeverisë mongole tha se Mongolia, e cila ka më shumë se 3 milionë banorë dhe kufizohet me Rusinë dhe Kinën, nuk mund ta arrestojë Putinin sepse është e varur nga energjia.
Mongolia importon 95 për qind të produkteve të saj të naftës dhe më shumë se 20 për qind të energjisë elektrike nga fqinjët e saj të afërt, dhe këto furnizime janë jetike për mbijetesën e vendit, tha zëdhënësi.