BE me 35 vende-Hartohet dokumenti për ndryshimet ligjore
Pak muaj para përfundimit të mandatit, eurodeputetët pritet të miratojnë një dokument për funksionimin e BE-së i planifikuar të kalojë në seancë plenare në fund të shkurtit.
Eurodeputetët, së pari në komisionet e kushtetueshmërisë dhe çështjeve të jashtme i kanë bërë thirrje ekzekutivit dhe udhëheqjes politike europiane të veprojë për zgjerimin duke ndryshuar legjislacionin.
“Bëjeni vendimmarrjen më efektive duke u larguar nga unanimiteti, përmes mekanizmave ekzistues dhe të ardhshëm të Traktatit”,
Në mes të një debati të mprehtë europian për përdorimin e vetos nga udhëheqës autokratë, për zgjerimin dhe Shqipërinë, veto e pashpallur e Greqisë është rasti i fundit që nervozoi instancat europiane.
Dekompozimi i mekanizmit të vetos nga përdorime të pamotivuara e interesa vendore është përkthyer në kërkesë nga legjislativi europian në dokumentin e fundit, në kushtet kur ndryshimi i traktatit Europian kërkon po ashtu unanimitet.
”Përcaktoni udhërrëfyes dhe afate të ndërmjetme kohore për çdo vend aderues. Proceset për përgatitjen e zgjerimit duhet të zhvillohen paralelisht si në BE ashtu edhe në vendet anëtare” u shpreh Petras Auštrevičius, anëtar i Parlamentit Evropian.
“Një BE e zgjeruar, me 35 ose më shumë Shtete Anëtare, nuk mund të funksionojë me rregullat aktuale të krijuara për 27. Nëse duam të jemi serioz në lidhje me zgjerimin, duhet të pranojmë se nevojiten reforma evropiane dhe se zgjidhjet kreative, pasi integrimi i diferencuar duhet të jetë pjesë të arkitekturës institucionale të BE-së”, u shpreh deputeti i parlamentit Europian, Pedro Silva Pereira.
Për të arritur një ndryshim në traktat, eurodeputët sugjerojnë përdorimin e mekanizmave të fleksibilitetit, të tilla si klauzola kalimtare. Sipas tyre, reformat institucionale të parazgjerimit duhet gjithashtu të trajtojnë implikimet e zgjerimit në përbërjen e Parlamentit, të Këshillit Europian, llogaritjen e pragjeve të votimit të shumicës së cilësuar.
Eurodeputetët sugjerojnë t’u jepet vendeve kandidate një status vëzhguesi në organet dhe institucionet përkatëse të BE-së, përfshirë Parlamentin Evropian, fillimisht në bazë të marrëveshjeve të përkohshme, si dhe krijimin e një posti të veçantë të një Komisioneri për Zgjerimin.