BE miraton pakon e 13-të të sanksioneve ndaj Rusisë
Bashkimi Evropian ka miratuar pakon e 13-të të sanksioneve kundër Rusisë. Lajmin e bëri të ditur presidenca belge në rrjetin social ‘X’, ku ka theksuar se ambasadorët e Bashkimit Evropian u pajtuan për pakon e 13-të të sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë.
“Ambasadorët e BE-së sapo u pajtuan në parim për pakon e 13-të të sanksioneve në kornizën e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës”, tha presidenca belge.
Vendimi i sotëm ka të bëjë me njërën prej pakove “më të gjera” të sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë.
Sanksionet kanë gjithashtu në fokus kompanitë që i ofrojnë Rusisë teknologji të avancuar dhe mallra ushtarake të prodhuara në BE.
Në shënjestër kanë qenë edhe kompani nga Turqia dhe Koreja e Veriut.
Gati 200 persona dhe subjekte, kryesisht nga Rusia, janë shtuar në listën e zezë, e cila tani përmban më shumë se 2000 emra.
Megjithatë, paketa nuk mbulon asnjë person që dyshohet se është përfshirë në vdekjen e Alexei Navalny, kritikut të presidentit Vladimir Putin.
“Ne duhet të vazhdojmë të çmontojmë makinën luftarake të Putinit”, tha Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Evropian.
Bashkimi Evropian kishte tentuar më parë të ndëshkonte një pjesë të vogël të firmave me bazë në Kinën kontinentale, por ankesat nga zyrtarët e Pekinit dhe rezervat nga disa shtete anëtare i kishin penguar sanksionet.
Paketa e 13-të që nga shkurti 2022, synon të godasë gjithashtu institucionet e drejtuara nga Rusia që riedukojnë fëmijët që janë rrëmbyer nga Ukraina.
Miratimi i paketës është planifikuar qëllimisht që të përkojë me përvjetorin e dytë të luftës në Ukrainë. Procesi u ngadalësua nga Hungaria, e cila është e vendosur të parandalojë çdo kufizim që përfshin Rosatom, monopolin bërthamor të Rusisë.
Rosatom është kontraktori kryesor në zgjerimin e termocentralit bërthamor Paks, i cili furnizon mbi 50% të energjisë elektrike të Hungarisë.
Kina, Emiratet e Bashkuara Arabe, Turqia, Kirgistani, Kazakistani, Uzbekistani, Serbia dhe Armenia kanë qenë nën radarin e BE-së prej muajsh, me të dërguarin special David O’Sullivan duke fluturuar nga një vend në tjetrin në një përpjekje për të bindur këto qeveri të bëjnë më shumë në sanksionet ndaj Rusisë.