Categories: LajmeRajoni

BE: Serbia nuk mund të bëhet anëtare pa normalizimin e raporteve me Kosovën

Serbia nuk mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian pa normalizimin e raporteve të saj me Kosovën, tha për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

“Marrëveshja e Ohrit aktualisht e bën këtë shumë të qartë: Nëse nuk ka progres në normalizim, nuk do të ketë progres në negociatat e anëtarësimit”, shtoi ai.

Kjo deklaratë erdhi pasi ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, në një intervistë për edicionin e 13 qershorit të së përjavshmes NIN nga Beogradi, tha se njohja formale e Kosovës nuk do të jetë kusht për hyrjen e Serbisë në BE.

Bashkimi Evropian, megjithatë, nuk është shprehur qartë nëse njohja formale e Kosovës do të jetë kusht për Serbinë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, dhe Stano përsëriti se “qëndrimi i bllokut rreth kësaj çështjeje mbetet i pandryshuar”.

“Qëndrimi i BE-së rreth kësaj nuk ka ndryshuar dhe mbetet i njëjti, siç është thënë në të kaluarën dhe siç është cekur në kriteret e anëtarësimit”, tha Stano.

Prej se Kosova e shpalli pavarësinë, 15 vjet më parë, Bashkimi Evropian është shprehur vazhdimisht se çështja e njohjes së Kosovës është një çështje në kompetencë të vendeve anëtare të BE-së dhe, si bllok evropian, ka mbajtur një qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës.

Por, në anën tjetër, Kosova ka raporte të veçanta kontraktuale me Bashkimin Evropian, përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, ndërsa në procesin e negociatave të anëtarësimit të Serbisë në BE nuk përfshihet territori i Kosovës.

Në BE gjithmonë kanë ngulur këmbë që të përdorin normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Kosovën si kusht për Serbinë. Interpretimin se a nënkupton “normalizimi i plotë” edhe njohjen formale të Kosovës nga Serbia, në BE ua kanë lënë palëve ta interpretojnë vetë.

Një zyrtar i BE-së, duke rikujtuar edhe ndryshimet në kornizën e negociatave të anëtarësimit të Serbisë në BE, ku në kapitullin 35 është përfshirë si kusht edhe normalizimi i raporteve me Kosovën, ka thënë se pa këtë normalizim, Serbia nuk mund të bëhet anëtare e BE-së.

Njëkohësisht, BE-ja ka thënë se lobimi i Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare përben shkelje “të qartë” të Marrëveshjes së Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje.

“Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit është e vlefshme dhe plotësisht detyruese për të dyja: Kosovën dhe Serbinë. Kjo përfshinë edhe Nenin 4. Lobimi i Serbisë kundër Kosovës është shkelje e qartë e kësaj marrëveshje”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, për Radion Evropa e Lirë.

Nën ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia më 2023 arritën Marrëveshjen drejt normalizimit të marrëdhënieve. Më vonë ajo u bë e njohur si Marrëveshja e Ohrit, por edhe kjo ka mbetur kryesisht e pazbatuar.

Serbia loboi kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës në maj, i cili përfundimisht vendosi të mos e fuste fare në agjendë kërkesën e Prishtinës për anëtarësim, pavarësisht se ajo i kaloi dy prej tri fazave të nevojshme, shkruan REL. 

( Sipas REL )

RTSH Shkodra

Recent Posts

Emisioni “Emocionet e pasndeshjes”/Të ftuarit analizojnë sfidën Vllaznia-Teuta

Analiza e ndeshjes, Vllaznia-Teuta dhe Abissnet Superiore, java e 14-teështë analizuar mjenjëherë pas ndeshjes në…

2 hours ago

Vllaznia fiton në fund ndaj Teutës/Shkodranët marrin provizorisht vendin e parë me 25 pikë

Vllaznia arrin të marrë një fitore të vyer në frymen e fundit ndaj Teutës mbrërmjen…

2 hours ago

Në kujtim të Zef Dedës/Homazhe në 1 vjetorin e ndarjes nga jeta të komedianit shqiptar

Familjarë, miq, kolegë dhe qytetarë të shumtë kujtuan mjeshtrin e humorit Zef Deda. Aty ku…

2 hours ago

Lëvizjet në pikat kufitare/Rreth 6000 persona kanë lëvizur në 24 orë në Muriqan

Kjo e dielë e ka gjetur pikën e kalimit kufitar të Muriqanit me pak lëvizje…

2 hours ago

Alergjitë tek moshat e treta/ Duda: Kohët e fundit janë shtuar rastet e reja

Vitet e fundit po shtohen rastet e alergjive tek moshat e treta në Shkodër. Specialistët…

2 hours ago

Rijetëzimi i pazarit të Shkodrës/ Punimet për rikualifikimn e Zdrales po vijojnë

Puna për rehabilitimin e Zdrales po vijon në qyetin e Shkodrës.Aktualisht po punohet për shtrimin…

2 hours ago

This website uses cookies.