BE: Serbia të sjellë para drejtësisë autorët e sulmit në Banjskë
Bashkimi Evropian ka kërkuar nga autoritetet serbe që të sjellin para drejtësisë, autorët e sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Kosovës, ku mbeti i vrarë edhe rreshteri Afrim Bunjaku.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano nënvizoi se ka qenë kërkesë e vazhdueshme e Brukselit, që nga dita e parë, që Serbia të bashkëpunojë me autoritete Kosovare, sikurse shprehet, “për ato raste ku të dyshuarit ndodhen në Kosovë”.
“BE-ja ka shprehur vazhdimisht pritjen e saj që Serbia duhet të bashkëpunojë plotësisht dhe të marrë të gjitha masat e nevojshme për të kapur dhe sjellë menjëherë para drejtësisë autorët e akteve të dhunshme nga protestuesit serbë të Kosovës kundër qytetarëve, trupave të KFOR-it, forcave të rendit dhe mediave më 29 maj 2023 dhe sulmi i dhunshëm i 24 shtatorit 2023 në veri të Kosovës”, ka nënvizuar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Më 24 shtator 2023, një grup i armatosur serbësh kreu sulmin terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit, ndërsa Policia e Kosovës iu përgjigj të shtënave me armë duke vrarë tre sulmues serbë. Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj 45 personave, përfshirë organizatorin e sulmit Milan Radojçiç, që qëndron i lirë në Serbi dhe është shumë i afërt me presidentin serb.