BE shkrin fondet për Afganistanin, 140 milionë euro për të ndihmuar gratë afgane
Pas ngrirjes prej disa muajsh të ndihmave për Afganistanin, Bashkimi Europian ka vendosur të dërgojë atje ndihma me vlerën e 140 milionë eurove që do të përdoren veçanërisht për të ndihmuar gratë dhe vajzat e atij vendi.
Bashkimi Europian do të dërgojë ndihma me vlerën e 140 milionë eurove në Afganistan, që do të përdoren veçanërisht për të ndihmuar gratë dhe vajzat të drejtat e të cilave janë kufizuar ndjeshëm qëkur talibanët morën pushtetin në 2021-in.
Në dhjetor të 2022-it, Bashkimi Europian vendosi ngrirjen e fondeve për Afganistanin, pas një urdhri të lëshuar të talibanëve që ndalonte gratë të punonin për organizatat kombëtare dhe ndërkombëtare.
Por pas gjashtë muajsh monitorimi të situatës, BE u shpreh se ka vendosur të lëvrojë fondet pasi u konfirmua se ndihma do të përdorej për gratë dhe vajzat afgane.
Fondet europiane, do të lëvrohen përmes agjencive të Kombeve të bashkuara, bankës botërore dhe organizatave ndërkombëtare qeveritare që veprojnë në terren, u shpreh komisioni europian në një deklaratë.
Në muajin shkurt, blloku ra dakord se në Afganistan do të dërgoheshin fonde që do të përdoreshin vetëm në sektorë dhe fusha ku mund të punojnë gratë. Shuma prej 140 milionë eurosh është pjesë e një pakete me vlerën e një miliardë eurove që u njoftua në gusht të 2021-it.