Categories: BotaLajmeSociale

BE sqaron risitë për lëvizjen në Shengen: Sistemet që do aplikohen, synim forcimi i sigurisë!

Komisioni Evropian paraqiti në nëntor 2016 një propozim për Sistemin Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS).

Ky sistem synon të forcojë kontrollet e sigurisë për njerëzit që udhëtojnë pa viza drejt vendeve të BE.

Në lidhje me hyrjen në fuqi të këtij sistemi Zyra e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë në përgjigje të interesimit të Agjencisë Telegrafike Shqiptare theksoi se, “ETIAS nuk do të hyjë në fuqi përpara fundit të vitit 2024, ndërsa 6 muaj përpara fillimit të ETIAS-s do të nisë në mbarë botën një fushatë informimi”.

Delegacioni i BE gjithashtu thekson se do të hyjnë në funksion dy sisteme të reja TI.

“Njëri është Sistemi Hyrje/Dalje (EES), një sistem i automatizuar për regjistrimin e shtetasve jo të BE-së që udhëtojnë për një qëndrim të shkurtër sa herë që kalojnë kufijtë e jashtëm të vendeve evropiane që përdorin sistemin. Kjo ka të bëjë si me udhëtarët që nuk kanë nevojë për viza ashtu edhe me ata të cilëve u duhet vizë, që vijnë për një qëndrim të shkurtër. EES do të zëvendësojë vulosjen e pasaportës, duke e bërë udhëtimin në Evropë më efikas për udhëtarët”, sqaron Delegacioni i BE-së për ATSH.

Ndërsa, vijon Zyra e Delegacionit të BE, “sistemi tjetër është ETIAS – Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit që do të hyjë në fuqi 6 muaj pas hyrjes në fuqi të EES-së. Kjo do të jetë një kërkesë hyrëse për shtetasit jo nga BE-ja që udhëtojnë në 30 vende evropiane për një qëndrim të shkurtër. Ndryshe nga EES-ja, ka të bëjë vetëm me shtetasit nga vendet që nuk kanë nevojë për viza”.

Të pyetur nëse kjo do të thotë se qytetarët shqiptarë do të lëvizin lirshëm, pa asnjë kufizim, siç ka qenë deri tani, Delegacioni i BE sqaron se, “për të hyrë dhe qëndruar në territorin e 30 vendeve evropiane që kërkojnë ETIAS për një periudhë afatshkurtër (deri në 90 ditë në çdo periudhë 180-ditore) do të kërkohet një autorizim udhëtimi ETIAS. Megjithatë, për sa i përket lirisë së lëvizjes, asgjë nuk do të ndryshojë, pasi një autorizim udhëtimi ETIAS nuk është vizë”.

“30 vendet evropiane që kërkojnë autorizim udhëtimi ETIAS janë të gjitha Shtetet Anëtare të BE-së , përveç Irlandës,  Norvegjisë, Islandës, Zvicrës dhe Lihtenshtajnit”, shpjegon Delegacioni i BE.

Delegacioni i BE gjithashtu sqaron se qytetarët nuk do të pajisen me kod përpara se të udhëtojnë.

“Kur lëshohet një autorizim udhëtimi ETIAS, udhëtarët nuk do të pajisen me kod. Autorizimi i udhëtimit ETIAS do të lidhet drejtpërdrejt me pasaportën e udhëtarit. Ai do të jetë i vlefshëm deri në tre vjet ose deri në skadimin e pasaportës, cilado qoftë e para. Nëse merrni një pasaportë të re, do t’ju duhet të merrni një autorizim të ri udhëtimi ETIAS”, thekson Delegacioni i BE.

“Brenda kësaj periudhe, udhëtarët me një autorizim të vlefshëm udhëtimi ETIAS do të mund të hyjnë në territorin e 30 vendeve evropiane sa herë të duan për një qëndrim afatshkurtër brenda kufijve prej 90 ditësh në çdo periudhë 180 ditore, pa pasur nevojë të ri-aplikojnë”, sqaron Zyra e BE për ATSH.

Megjithatë, shton Delegacioni, “autorizimi i udhëtimit ETIAS nuk garanton hyrjen. Në mbërritje, një roje kufitare do të kërkojë të shohë pasaportën dhe dokumentet e tjera, si dhe do të verifikojë që udhëtarët plotësojnë kushtet e hyrjes”.

Gjithashtu, nënvizon Delegacioni i BE, “qytetarët që aplikojnë për një autorizim udhëtimi ETIAS duhet të kenë pasaportë biometrike. Nëse qytetarët kanë ndonjë lloj tjetër pasaporte, do t’u duhet vizë për të hyrë në çdo vend evropian që kërkon ETIAS”.

Zyra e BE deklaroi për ATSH se, në rastet kur një qytetari, për një arsye ose një tjetër, i refuzohet kërkesa për marrjen e kodit, ai ka të drejtë të ri-aplikojë.

“Një refuzim i mëparshëm nuk do të çojë në refuzimin automatik të një aplikimi të ri”, thekson Delegacioni.

“Nëse është marrë vendim që aplikimi juaj ETIAS është refuzuar, ai do të përfshijë arsyet e refuzimit. Ai gjithashtu do të japë informacion në lidhje me procedurën që duhet të ndiqni nëse dëshironi të apeloni. Apeli do të trajtohet nga autoritetet e vendit që ka refuzuar aplikimin”, sqaron për ATSH, Delegacioni i BE në Tiranë.

Sa i përket numrit të vendeve të përfshira në sistemin ETIAS, pra sa vende nuk do t’i vulosin pasaportat e tyre në aeroporte, Delegacioni i BE nënvizon se, “që nga hyrja në funksion e sistemit ETIAS, rreth 1.4 miliardë njerëz nga mbi 60 vende të përjashtuara nga vizat do të duhet të pajisen me autorizim udhëtimi ETIAS për të hyrë në 30 vendet evropiane që kërkojnë ETIAS”.

“Siç u përmend më herët, ETIAS nuk ka asnjë lidhje me vulosjen e pasaportës. Vulosja elektronike do të zëvendësojë sistemin aktual të vulosjes manuale të pasaportave dhe do të bëhet përmes një sistemi tjetër – EES-së”, thekson më tej Delegacioni i BE.

RTSH Shkodra

Recent Posts

“Dita e Alfabetit” përkujtohet nga myftiu Sytari – Imam Muhamed Sytari flet për situatën e rëndë sociale në vend

Dita e Alfabetit është përkujtuar sot nga myftiu i Shkodrës, imam Muhamed Sytari.  Gjatë hytbes…

17 seconds ago

Berisha: Me 26 nëntor, protesta tjetër kombëtare. Mosbindja civile, rruga e vetme

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka njoftuar se protesta e radhës, e organizuar prej…

19 minutes ago

Raundi i parë i ndeshjeve të Euro U-19 për vajza do të zhvillohet në Tiranë

Pas organizimit të suksesshëm të tre raundeve të para të ndeshjeve të Euro U-17 për…

26 minutes ago

Play Off-i i Nations League, Kosova mëson kundërshtarin

Është hedhur në Nion të Zvicrës shorti i ndeshjeve të Play Off-it për Ligën B/C.…

29 minutes ago

Shorti i Nations League, çerekfinalet premtojnë spektakël

Është hedhur në Nion të Zvicrës shorti i çerekfinaleve të këtij edicioni të Nations League.…

30 minutes ago

Dita Kombëtare e Alfabetit, gjuhëtari Lloshi: Është i shkëlqyer. Shtëpitë botuese të kenë redaktor

Ndërsa sot, 22 nëntor është Dita e Alfabetit Shqip, tashmë e shpallur festë zyrtare e…

41 minutes ago

This website uses cookies.