Beci dhe Sytari diskutojnë projektet publike – Myftiu i Shkodrës dhe kryebashkiaku dakordësi për një shtëpi muze të familjes Myftia
Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci ka vizituar sot Myftinë e Shkodrës, ku është takuar me Myftiun e Shkodrës, Imam Muhamed Sytari.
Në qendër të bisedës kanë qënë projektet e nisura në infrastrukturë në shërbim të Shkodrës.
Gjatë bisedës, kryebashkiaku dhe Myftiu i Shkodrës kanë ndarë detaje nga projekti i Zdrales që përfshin rregullimin e sheshit përpara xhamisë, ndërtimin e abdeshanes dhe rikonstruksionin e Xhamisë së Parrucës si një vlerë të pazëvendësueshme për komunitetin islam dhe për gjithë qytetin e Shkodrës.
Gjatë bisedës, Myftiu Sytari dhe Kryebashkiaku Benet Beci u ndalën edhe tek një tjetër monument i rëndësishëm jo vetëm për Shkodrën, por për të gjithë Ballkanin, ajo e Xhamisë së Plumbit, e cila pritet të inaugurohet gjatë këtij viti
Gjatë diskutimeve, kryebashkiaku Beci mirëpriti propozimin e myftiut të Shkodrës për shndërrimin në një muze të shtëpisë së familjes Myftia pranë Xhamisë së Plumbit, çka do të krijonte një kompleks muzeal në të gjithë zonën.
Biseda mes kreut të Bashkisë Beci dhe Myftiut Sytari vijoi në diskutimet dhe mundësitë e bashkëpunimeve mes palëve në të mirë të banorëve të qytetit të Shkodrës.