Beci takim me ambasadorin holandez, në fokus infrastruktura e pedalimit dhe lëvizshmëria e qëndrueshme
Bashkia Shkodër, në partneritet me Ambasadën Hollandeze në Tiranë, ka organizuar takimin me temë “Infrastruktura e pedalimit dhe lëvizshmëria e qëndrueshme urbane në Shkodër”, në kuadër të Javës Kulturore Hollandeze.
I pranishëm, në këtë takim ka qënë Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci dhe ambasadori i Holandës në vendin tonë, Reinout Caspar Vos.
Në fjalën e tij, kryebashkiaku u ndal tek rëndësia e planit të mobilitetit, por edhe investimet që janë kryer dhe do të vijojnë në korsitë e biçikletave në Shkodër .
Biçikleta në Shkodër është më shumë se një mjet transporti – ajo përfaqëson një simbol të kulturës dhe stilit të jetesës së qytetit.
Për këtë arsye, Bashkia ka shprehur angazhimin e saj për të krijuar infrastrukturën e duhur për pedalimin dhe për të promovuar përdorimin e biçikletave si një mënyrë të qëndrueshme dhe të shëndetshme të transportit.