Beci: Transformim i hyrjes së Shkodrës, nisin së shpejti punimet nga Harku i Bërdicës tek Ura e Bahçallëkut
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka përmbyllur procedurën e prokurimit dhe lidh këto ditë kontratën e punimeve për segmentin rrugor të hyrjes së Shkodrës nga Harku i Bërdicës tek Ura e Bahçallëkut.
Lajmi u bë i ditur nga kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, i cili theksoi se “ky investim i financuar plotësisht nga qeveria shqiptare me një vlerë prej rreth 8.4 milionë eurosh përfshin zgjerimin e rrugës në 4 korsi, ndërtimin e trotuareve, ndërtimin e një ure të dytë mbi Drin paralel me urën ekzistuese të Bahçallëkut dhe përmirësimin e nyjeve te Harku i Bërdicës dhe tek Ura e re e Bunës’.
Kryebashkiaku Beci u shpreh se “punimet, të cilat me lidhjen e kontratës do të fillojnë shumë shpejt, do të kenë një ndikim të madh në zbutjen e trafikut e radhëve të gjata sidomos gjatë sezonit veror”.
Bashkia e Shkodrës po punon ngushtë me ARRSH-në për të siguruar një projekt sa më funksional e të sigurt për të gjithë përdoruesit, banorët dhe bizneset përgjatë rrugës.
Kryebashkiaku Beci tha se “me angazhimin shumë serioz të qeverisë shqiptare dhe një bashkëpunim dinamik qeveri vendore-qendrore në çdo sektor, një erë e re po fryn për Shkodrën”.
Në bashkëpunim me qeverinë shqiptare këto dy vite po investohen mbi 50 milionë euro në territorin e bashkisë së Shkodrës.