Beci: Vijon sistemimi i shkollave në pritje të sezonit të ri arsimor
Drejtoria Ekonomike Arsimore e bashkisë Shkodër ka vijuar gjatë javës punën për sistemin e shkollave në pritje të vitit të ri shkollor në disa shkolla të qytetit dhe njësisë administrative Dajç.
Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci tha sot se “është ndërhyrë në shkollat “Gjergj Laca” Pentar, “Shejnaze Juka” ,”Prenkë Jakova”, “Martin Camaj”, “Pjetër Gaci” e”Luçe Agraja” në Shirq”.
“Në këto shkolla janë kryer riparime hidraulike e elektrike, zëvendësim i pompave, riparim karrigesh e tavolinash, stukime, suvatime, lyerje, riparim i dyerve të drurit dhe dritareve të duraluminit, pastrim oborresh dhe prerje bari”, shtoi Beci.
Kryebashkiaku Beci u shpreh se “puna vijon edhe gjatë këtyre ditëve, për krijimin e një mjedisi sa më të përshtatshëm për nxënësit e mësuesit për një fillim sa më të mbarë”.
Në 11 shtator në të gjitha shkollat e ciklit 9-vjeçar dhe të mesëm do të nisë viti i ri shkollor 2023-2024.