Befason Vllaznia e volej meshkuj / Kuqeblutë mundin Partizanin dhe rihapin garën në Ligën “Gjergj Kastrioti”
Paraqitja e dobët në kompeticionin e Kupës së Shqipërisë, ku edhe u eleminua në ndeshjet e grupit kualifikues, por edhe dy humbjet radhazi në ndeshjet e Ligës “Gjergji Kastrioti”, krijuan përshtypjen se ekipi i Vllaznisë në volejboll për meshkuj po kalonte një krizë rezultatesh në këtë fundviti 2023. Por, sfida e radhës në ndeshjet e grupit eleminator të Ligës “Gjergj Kastrioti” tregoi të kundërtën. Djemtë kuqeblu të drejtuar nga trajneri Artan Kalaja dhe kolegu i tij, Ermal Kraja, kanë befasuar me përformancën e paraqitur përballë Partizanit potent, skuadër e cila është pretendentja kryesore për titullin kampion në Shqipëri, por edhe fitimin e trofeut të Ligës “Gjergj Kastrioti”. Me kapitenin Nikolin Qafarena në krye, Rrashketën, Lloshin, Taflaj, Ross, Lleshi, Talani, Çekini, Jula, Curraj, Preka, Lugaj, Vllaznia dominon tërësisht duke e fituar ndeshjen me rezultatin 3 me 1. Pas ndeshjes, trajneri kuqeblu Kalaja, shprehet i kënaqur për fitoren dhe sidomos lojën e volejbollistëve të tij.
Nga ana tjetër, trajneri i Partizanit, Ylli Tomorri, pranon humbjen dhe përgëzon ekipin kuqeblu për lojën e paraqitur në këtë ndeshje.
Pas javës së tretë, rivaliteti në grupin A të Ligës “Gjergj Kastrioti” është rritur ndjeshëm. Në vend të parë është Ferizaj me 6 pikë, ndërkohë, tre skuadrat e tjera të këtij grupi, Skënderbeu i Kosovës, Partizani dhe Vllaznia, janë me pikë të barabarta, me nga 4 të tilla.