Begaj dekreton ligjin e ndryshuar për Komisionet Hetimore: Pretendimet e opozitës nuk qëndrojnë

Begaj dekreton ligjin

Begaj dekreton ligjin

Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar ligjin e ndryshuar për “Organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”.

Begaj ka hedhur poshtë pretendimet e ngritura nga opozita se miratimi i projektligjit është shoqëruar me parregullsi procedurale, ndërsa i ka bërë thirrje demokratëve që të zgjidhin me dialog me shumicën çështjet që i shqetësojnë lidhur me ligjin e sapo miratuar.

Për sa u takon pretendimeve për antikushtetutshmëri të dispozitave të reja ligjore, të bëra publike nga disa eksponentë të opozitës, sqarojmë, si vijon:

Është pretenduar se miratimi i projektligjit është shoqëruar me parregullsi procedurale. Ky pretendim nuk i qëndron kontrollit kushtetues. Shkeljet procedurale nuk përbëjnë shkak të vetëmjaftueshëm për kthimin e ligjit për shqyrtim. Procedura e shqyrtimit dhe e miratimit të projektligjeve është çështje e Rregullores së brendshme të Kuvendit, kontrolli i zbatimit të së cilës kryhet nga organet e brendshme të Kuvendit, të ngarkuara nga vetë Rregullorja për këtë qëllim.

Është fakt publik se në instancat e brendshme të Kuvendit nuk është depozituar asnjë kërkesë me pretendime për shkelje procedurale të lidhura me këtë ligj. Shkeljet procedurale mund të formojnë lëndë për kontrollin kushtetues vetëm nëse shkeljet procedurale ngrihen në nivelin e shkeljeve kushtetuese. I tillë është, për shembull, rasti kur një ligj, për të cilin Kushtetuta kërkon miratimin me shumicë të cilësuar, miratohet me një numër më të vogël votash. Asnjëra nga shkeljet procedurale të pretenduara nuk ngrihet në nivelin e një shkeljeje procedurale kushtetuese. Për pasojë, nuk e bën këtë ligj antikushtetues”, thuhet në njoftim.

Po kështu, Begaj argumenton se pretendimet e ngritura se ky ligj duhet të ishte miratuar me konsensus, nuk mund ta bëhen shkak që Presidenti ta kthejë për shqyrtim me shkakun se i mungon konsensusi.

Është pretenduar se amendamentet e miratuara nuk kanë të përfshirë qëndrimin e konsoliduar të Gjykatës Kushtetuese, sipas së cilit shumica parlamentare është e detyruar të pranojë ngritjen e komisionit hetimor dhe se ajo mund të vërë në diskutim vetëm objektin e hetimit dhe vetëm nëse ka pretendime për cenim të parimeve kushtetuese. Përballë këtij pretendimi qëndrojnë dy fakte thelbësore, të cilat mbrojnë kushtetutshmërinë.

Së pari, detyrimi për ngritjen e komisionit hetimor, kur këtë e kërkojnë jo më pak se 35 deputetë, është detyrim që buron nga neni 77 i Kushtetutës dhe nuk ka dispozita të këtij ligji që t’i kundërvihen.

Së dyti, jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese, që ka përcaktuar edhe kufijtë e diskrecionit të shumicës parlamentare, në këtë rast, gjithashtu, nuk kundërshtohet nga asnjë dispozitë e këtij ligji. Opinioni se kjo çështje duhet të ishte përfshirë në tekstin e ligjit me formulime konkrete, sipas kësaj linje, mund të konsiderohet racional, por mungesa nuk e bën ligjin antikushtetues, sikurse nuk i zhbën detyrimet që burojnë nga Kushtetuta dhe nga jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet më tej në njoftim.

Kreu i shtetit i është drejtuar deputetëve që të kenë dialog konstruktiv dhe bashkëpunim mes forcave politike, si rruga e vetme që i shërben të mirës së përbashkët, interesit kombëtar dhe konsolidimit të pozitave të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

A note to our visitors

This website has updated its privacy policy in compliance with changes to European Union data protection law, for all members globally. We’ve also updated our Privacy Policy to give you more information about your rights and responsibilities with respect to your privacy and personal information. Please read this to review the updates about which cookies we use and what information we collect on our site. By continuing to use this site, you are agreeing to our updated privacy policy.