Begaj dekreton ministrat e rinj, pasdite votohet për kreun e Kuvendit

Presidenti Bajram Begaj formalizoi të martën (29 korrik) ndryshimet në kabinetin qeveritar, duke miratuar dekretet për emrat e propozuar nga kryeministri Edi Rama.

Ervin Hoxha, Pirro Vëngu dhe Petrit Malaj do të jenë ministrat e rinj që i bashkohen kryesisë qeverisëse. Ministri Taulant Balla do të mbulojë dikasterin e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.

Z. Hoxha zëvendëson ish-ministrin e Brendshëm, Ballën; z. Vëngu do të marrë vendin e ish-ministrit Niko Peleshi te Mbrojtja, ndërsa z. Malaj do të jetë ministër i Financave në vend të ish-ministrit Ervin Mete.

Përveç ndryshimeve në qeveri, Kongresi Zgjedhor i Partisë Socialiste vendosi të dielën edhe për zëvendësimin e kryeparlamentares Lindita Nikolla, e cila dha dorëheqjen për arsye shëndetësore.

Një seancë e posaçme e parashikuar për sot në orën 18:00 pritet të hedhë për votim kandidaturën e ish-ministres Elisa Spiropali si kryetare e Kuvendit. Në bazë të vendimeve të Kongresit, edhe Bledi Çuçi e lë postin e kryetarit të grupit të PS-së për t’u bërë nënkryetar i Kuvendit, ndërsa z. Peleshi do të zëvendësojë z. Çuçi për kreun e grupit të deputetëve socialistë.

Ministrat e rinj në qeverinë Rama

Ervin Hoxha – Ministër i Brendshëm

Ervin Hoxha i cili do të mbajë postin e ministrit të Brendshëm më parë ka mbajtur detyrën e drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit të Provës. Ai u lirua nga kjo detyrë në nëntorin e vitit të kaluar ndërsa tani pritet të marrë një nga postet më të rëndësishme. Hoxha ka kryer Akademinë e Lartë të Sigurisë (Offizier Schule des Herres) në Dresden të Gjermanisë. Në vitin 2006 përfundoi ciklin universitar në Fakultetin e Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës. Ervin Hoxha ka përfunduar arsimin pasuniversitar në Shkollën e Lartë të Policisë Gjermane (Deutsche Hochschule der Polizei), duke fituar titullin M.A në Administrim Publik dhe Menaxhim Policor).

Për më shumë se 20 vite ka shërbyer në funksione të ndryshme nga niveli ekzekutues deri në nivelet më të larta te drejtimit në institucione qendrore dhe ligjzbatuese të shtetit shqiptar si: Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit, Ministria e Financave, Ministria e Drejtësisë.

Ka mbajtur detyra në nivelin drejtues si: Drejtor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Shef i Njësisë Kombëtare Europol, Shef i Zyrës Qëndrore Kombëtare Interpol, Drejtor i Policisë Rrugore, Drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë, Drejtor i Hetimit Tatimor dhe Pastrimit të Parave, Zv. Drejtor i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, si edhe Drejtor Kabineti dhe Këshilltar i disa funksionarëve të lartë të shtetit shqiptar.  Ervin Hoxha zotëron në nivel të avancuar gjuhën turke, gjermane dhe atë angleze.

Petrit Malaj – Ministër i Financave

Petrit Malaj është emri i ri i propozuar nga kryeministri Edi Rama për të drejtuar Ministrinë e Financave duke zëvendësuar në këtë post, Ervin Meten. Petrit Malaj është aktualisht drejtori ekzekutiv i Agjencisë së Burimeve Natyrore (AKBN). Malaj u zgjodh në këtë detyrë në janar të vitit 2024, ndërkohë që sot kryeministri Rama e propozoi atë për të drejtuar dikasterin e Financave në vend të Ervin Metes.

Referuar jetëshkrimit të tij, Petrit Malaj është diplomuar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës, ka vijuar studimet për Master në “Business Administration” në Universitetin Ëisconsin- La Crosse në SHBA , është kualifikuar për “Banking and Finance” në Universitetin Georgetoën, SHBA dhe më pas ka ndjekur një program kualifikimi për Drejtimin e Tregut të Kapitaleve, të Ministrisë Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim të Gjermanisë. Malaj ka një përvojë të pasur në sistemin bankar në Shqipëri dhe më pas është angazhuar si Drejtor Ekzekutiv në kompaninë “BDO Albania”, pjesë e BDO International, grupi i pestë më i madh në botë në fushën e Konsulencës Financiare, Auditit dhe Taksave.

Pirro Vëngu – Ministër i Mbrojtjes

Pirro Vëngu i cili do të marrë postin e ministrit të Mbrojtjes në vend të Niko Peleshit ka mbajtur deri më sot postin e drejtorit të Autoritetit Portual Durrës, ndërsa më herët ka mbajtur postin e drejtorit Antikorrupsionit në Kryeministri.

Gjithashtu, Vëngu ka qenë edhe drejtor kabineti në Ministrinë e Jashtme të ish-ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati në qeverinë “Rama 1”.

Në vitin 2017 ai u emërua drejtor i antikorrupsionit në Kryeministri. Në vitin 2015, teksa ishte në detyrë në ministrinë që drejtohej nga Ditmir Bushati, Vëngut i erdhi një fletëthirrje nga Greqia, me arsyetimin se nuk kishte kryer detyrimin ushtarak në shtetin grek, detyrim që vinte për shkak të mbajtjes së pasaportës greke.

A note to our visitors

This website has updated its privacy policy in compliance with changes to European Union data protection law, for all members globally. We’ve also updated our Privacy Policy to give you more information about your rights and responsibilities with respect to your privacy and personal information. Please read this to review the updates about which cookies we use and what information we collect on our site. By continuing to use this site, you are agreeing to our updated privacy policy.