Begaj: Duhet një kthesë në jetën politike. Bardhi: Presidenti u bë palë në konflikt

Bajram Begaj
E hëna duhet të ishte dita kur presidenti Bajram Begaj do i drejtohej Parlamentit me mesazhin përshëndetës për nisjen e sesionit e ri, por seanca plenare përfundoi pa u kryer.
Begaj u detyrua të anulojë fjalimin para ligjvënësve si pasojë e kaosit në sallë dhe fishkëllimave të zhurmuesve të sjellë nga deputetë të opozitës.
Kreu i shtetit zgjodhi ta çojë deri në fund fjalën e parashikuar, por jashtë Kuvendit.
“Çelja e punimeve të sesionit të ri të Kuvendit ishte një mundësi e mirë që deputetët e Kuvendit të shënonin fillimin e një kthese në jetën politike të vendit tonë,” u shpreh Begaj nga ambientet e presidencës.
Në fjalën e tij, kreu i shtetit tha se për interesa partiake, një pjesë e klasës politike po bëhet pengesë për konsolidimin e shtetit të së drejtës, zhvillimit social-ekonomik të vendit dhe për ecurinë e procesit integrues në BE.
“Debati dhe përballja e ideve brenda kornizës së respektit për tjetrin janë domosdoshmëri,” tha presidenti.
“Sesioni i kaluar i Kuvendit, fatkeqësisht, shpenzoi më shumë kohë për agjenda joparlamentare, se sa për çështje madhore për vendin. Koha e humbur në theksimin e ndasive nuk kthehet më. Ky sesion i ri parlamentar është një mundësi e re për ju deputetë që të riorientoni dialogun për të mirën e përbashkët, interesin kombëtar dhe konsolidimin e pozitave të Shqipërisë në rajon, me BE-në dhe aleatin tonë strategjik SHBA.
Ndaj uroj t’i riktheheni bashkëpunimit parlamentar dhe të rigjeni qëllimin e humbur. Të gjithë ne, shqiptarët, i kemi sytë nga ju!” përfundoi presidenti Begaj.
Bardhi qorton qëndrimet e presidentit: U bë palë në konflikt!
Demokrati Gazment Bardhi e ka quajtur “të anshëm” dhe “palë në konflikt” presidentin Bajram Begaj, pak minuta pasi ai mbajti fjalën me rastin e nisjes së sesionit të ri parlamentar.
Begaj foli nga selia e kryeshtetarit, por sipas z. Bardhi, kërkesa e tij “për një kthesë në jetën politike të vendit” dhe pajtimin kundër pengesave artificiale ishte përçarëse duke ditur kushtet ku ndodhet opozita.
“Qëndrimi publik i Presidentit të Republikës është mesazhi më i dëmshëm që mund të bënte për normalizimin e jetës parlamentare. Ashtu siç pritej, Kreu i Shtetit nuk u ngrit dot në rolin e tij si përfaqësues i unitetit të popullit, por me një gjuhë të njëanshme, u bë palë në konflikt dhe nxiti edhe më shumë përçarjen mes palëve politike në Kuvend.
Duke e konsideruar këtë një akt antidemokratik dhe një sulm të pashembullt të Presidentit të Republikës ndaj opozitës, e siguroj që Grupi Parlamentar i PD dhe opozita është e vendosur të mbrojë pluralizmin demokratik në vend dhe Kushtetutën e Shqipërisë, edhe nëse Kreu i Shtetit ka vendosur t’ia dorëzojë kopjen e tij të Kushtetutës kryeministrit Edi Rama!” reagoi z. Bardhi.