Begaj: Kroacia mbështetëse e zgjerimit të BE-së. Linja ajrore direkte Tiranë-Zagreb, impakt në ekonomi e turizëm
Presidenti Bajram Begaj ka deklaruar se Kroacia do mbështesë procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Në fjalën e tij në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun kroat, Begaj u shpreh se gjatë takimit që mbajti me Milanoviç , një vëmendje të shtuar i kushtuan intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik e tregëtar.
Begaj ka rinënvizuar nevojën për ndërlidhje më të mirë mes Kroacisë e Shqipërisë, në dobi të të dy vendeve dhe rajonit.
“Domosdoshmëri strategjike ky proces. Shpreha besimin se Kroacia do mbështesë fort procesin e zgjerimit. Shqipëria partner i besueshëm I BE-së në kuadër të politikës së jashtme dhe strategjisë. Po ashtu në kuadër të bashkëpunimit të shkëlqyer politik, një vëmendje të veçantë i kushtuam intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik e tregtar. Të dhënat tregojnë për një prirje optimiste por duhet përpjekje e përbashkët për të inkurajuar shkëmbimet tregtare e ekonomike mes dy vendeve.
Rinënvizova nevojën për ndërlidhje më të mirë mes dy vendeve, në dobi të dy shteteve dhe rajonit. Vendosja e një linje ajrore direkte Tiranë-Zagreb dhe ndërlidhja e transportit të pasagjerëve mes porteve kryesore të dy vendeve, do kishin impakt ekonomik në fushën e turizmit.
Vlerësova se falë eksperiencës e ekspertizës kroate në fushën e turizmit, energjetikës, infrastrukturës mund të bëhet më shumë për të nxitur investimet në këto fusha.
Përshëndeta dy marrëveshjet e arritura së fundmi, atë të shëndetësisë dhe sigurimeve shoqërore.
Shpreha mirënjohjen për mbështetjen që Kroacia i bëri kandidaturës shqiptare për një vend në këshillin e të drejtave të njeriut në OKB për 2024-2026.
I konfirmova mbështetjen e Shqipërisë për kandidaturën e Kroacisë në KS në OKB për 2030-2031.
Shqipëria dhe Kroacia kanë rekord për trajtimin e minoriteteve, model që duhet ndjekur nga vendet e tjera të rajonit.
E njoha Milanoviç me problematikat me të cilat përballet minoriteti shqiptar kryesisht në luginën e Preshevës.
Shqiptarët atje duhen trajtuar sipas standardeve evropiane”, tha Begaj.
Presidenti, së bashku me homologun kroat, i kanë kushtuar një rëndësi të veçantë zhvillimeve në rajon, kryesisht sulmit të 24 shtatorit në Banjskë.
Begaj i ka shprehur shqetësimet e tij Milanoviç për përgatitjen dhe armatimin e rëndë ushtarak të përdorur nga grupi terrorist, ndërsa nënvizoi nevojën e rritjes së presionit nga ana e Bashkimit Evropian për përfundimin e hetimeve dhe nxjerrjen e përgjegjësive.
“Pas akteve të Hamasit mbi Izrael, bëhet e domosdoshme që që BE-NATO të dekurajojnë qasje provokative të Serbisë ndaj Kosovës”, tha ai.