Begaj pranon Letrat Kredenciale të Ambasadorit të Kazakistanit në Shqipëri, Iskander Aisariyev
Presidenti Bajram Begaj ka pranuar Letrat Kredenciale të Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Kazakistanit në Shqipëri, Iskander Aisariyev.
Presidenti Begaj i uroi Aisariyev mirëseardhjen në Shqipëri si Ambasadori i parë rezident i Kazakistanit në Tiranë, duke i garantuar mbështetjen e institucioneve shqiptare përgjatë shërbimit të tij diplomatik në vendin tonë.
“Hapja e Ambasadës së Kazakistanit në Tiranë dëshmon vullnet për të forcuar marrëdhëniet mes dy vendeve tona mike”, – theksoi Presidenti Begaj gjatë takimit me Ambasadorin Aisariyev, të cilit i shprehu vullnetin politik për të mbështetur dhe intensifikuar bashkëpunimin në fusha të ndryshme.
Presidenti i Republikës theksoi rëndësinë e dialogut dhe vizitave të mëtejshme të ndërsjella, në mënyrë që të promovohet bashkëpunimi dypalësh.
“Shqipëria ka interes për nxitjen e bashkëpunimit ekonomiko-tregtar, rritjen e investimeve kazake në sektorë, si: turizmi, energjia, agrobiznesi, ndërtimi infrastrukturor dhe industria e nxjerrjes dhe përpunimit të mineraleve”, – theksoi Presidenti Begaj.
Turizmi u cilësua si një fushë potenciale bashkëpunimi, që favorizohet edhe nga udhëtimi pa viza midis vendeve. Me interes u vlerësua dhe vendosja e një linje direkte fluturimi Tiranë-Astana.
Presidenti Begaj i përcolli Ambasadorit të Kazakistanit kërkesën për rishikim të qëndrimit në lidhje refuzimin e njohjes së Kosovës dhe mbështetje ndaj proceseve të saj integruese, ndërsa theksoi se është në interesin e përbashkët bashkëpunimi i mëtejshëm në organizatat ndërkombëtare.