Begaj takim “kokë më kokë” me homologun bullgar. Radev: Krah jush në rrugëtimin evropian
Presidenti Bajram Begaj ka zhvilluar këtë të enjte (14 dhjetor) një takim “kokë më kokë’ me homologun bullgar Rumen Radev.
Marrëdhëniet dypalëshe, roli i Shqipërisë dhe i Bullgarisë në rajon dhe me gjerë si pjesë e NATO-s dhe i organizmave të tjerë ndërkombëtare e rajonale si dhe bashkëpunimi në kuadër të Bashkimit Evropian kanë qenë në fokus të bisedës se Presidentit të Shqipërisë dhe homologut të tij bullgar.
Presidenti bullgar në fjalën e tij u shpreh se vizita e Begajt është kulmi i dialogut intensiv politik. Rumen Radev garantoi mbështetjen e Bullgarisë në rrugëtimin evropian të Shqipërisë.
Ai theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve kanë shumë të forta dhe se bashkëpunimi mes dy vendeve, kryesisht në fushën e sigurisë do jetë në fokus të tyre.
“Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bullgarisë janë në bazë të faktit se jemi aleatë në NATO, marrëdhënie të miqësisë e bashkëpunimit të mirë dhe kemi vizion të përbashkët për zhvillimin e rajonit tonë.
Kemi të njëjta prioritete politike si aleatë të NATO-s, të njëjtat qëndrime për stabilitetin e rajonit dhe i jam shumë mirënjohës Begaj për angazhimin e tij të plotë. Ne vlerësojmë bashkëpunimin në një kohë kaq të rëndësishme për të gjithë botën. Megjithëse me bashkëpunim të fortë në fushën e sigurisë mund të përparojmë më tej në këto kohë të turbullta.
Vizita e presidentit Begaj përkon me fillimin e Këshillit të BE-së. Theksova mbështetjen e fortë të Bullgarisë për rrugën evropiane të Shqipërisë dhe mendoj se Bullgaria mund të forcojë mbështetje të fortë dhe konkrete në këtë proces”, u shpreh Radev.
Ndërsa kreu i shtetit shqiptar bëri me dije se bashkëpunimi në fushat e bujqësisë, turizmit, arsimit e kulturës, ishin në vëmendje të diskutimit mes tyre. Po ashtu, Begaj garantoi se shumë shpejt do të mbyllen procedurat e brendshme nga Shqipëria dhe Bullgaria për marrëveshjen për mbrojtjen sociale.
“Vizita ime demonstron marrëdhëniet e forta mes dy vendeve. Bashkëpunimi në fushat e bujqësisë, turizmit, arsimit e kulturës, ishin në vëmendje të diskutimit tonë.
Lidhur me mbrojtjen sociale shpreha besimin se shumë shpejt do të mbyllen procedurat e brendshme nga të dy vendet dhe do të bëhet hyrja në fuqi e marrëveshjes dypalëshe për mbrojtjen sociale, me një ndikim pozitiv për shtetasit shqiptar e bullgar që jetojnë e punojnë në vendet tona respektive”, tha ai.
Gjatë vizitës zyrtare në Sofje, kreu i shtetit shqiptar do të takohet edhe me Presidentin e Asamblesë Kombëtare të Bullgarisë, Rosen Zhelyazkov.
Gjithashtu Presidenti Begaj do të zhvillojë një vizitë te trupat ushtarake shqiptare që janë të pozicionuara në Novo Selo, si pjesë e programit të NATO-s “Enhance Vigilant Activity”.