Begaj takon efektivët e FA në grupbatalionin e NATO-s, në Bullgari
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i ndodhur në një vizitë zyrtare në Bullgari, ka zhvilluar një takim me efektivët e Forcave të Armatosura që shërbejnë në grupbatalionin e NATO-s, të stacionuar në Novo Selo, në kuadër të masave të shtuara të vigjilencës “Enhanced Vigilance Activity”.
Kreu i Shtetit përgëzoi ushtarët, oficerët dhe nënoficerët, që janë pjesë e kësaj strukture për shërbimin e çmuar ndaj vendit.
Sipas Presidencës, Begaj, shprehu mirënjohjen për efektivët qe festat e fundvitit i gjejnë në krye të detyrës.
“Ju, këto festa ju gjejnë larg familjes dhe njerëzve tuaj të dashur, por në krye të detyrës dhe në shërbim të një misioni fisnik në ruajtje të paqes, sigurisë, lirisë dhe prosperitetit”, iu drejtua Kreu i Shtetit efektivëve të FA.
Presidenti e vlerësoi shërbimin e ushtarakëve shqiptarë në misionet e NATO-s, duke theksuar se me sakrificën, përkushtimin, përgjegjshmërinë dhe disiplinën e treguar, ata kanë lartësuar emrin e Shqipërisë si një anëtare e denjë e Aleancës Veri-Atlantike.