Begaj uron presidenten e Maqedonisë së Veriut: Forcojmë raportet mes dy vendeve
Presidenti i vendit, Bajram Begaj ka uruar presidenten e sapo zgjedhur të Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, si e para grua në krye të shtetit.
Në urimin e tij, Begaj shpreh bindjen se me zgjedhjen e Gordana Siljanovska-Davkovas në krye të shtetit të Maqedonisë së Veriut do të forcohen marrëdhëniet midis dy vendeve.
Ai vë në dukje se si vende anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe anëtare të ardhshme të Bashkimit Evropian, si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të jenë bashkëpunuese ashtu si edhe vetë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
“Urime, Gordana Siljanovska-Davkova, e para grua e votuar si Presidente e RMV. Jam i bindur se së bashku do të forcojmë më tej marrëdhëniet tradicionalisht shumë të mira midis vendeve tona mike, si vende anëtare në NATO dhe anëtare të ardhshme në BE, për të cilën shqiptarët në RMV mbeten tërësisht të angazhuar”, shkruan Begaj.