Begaj uron Sulltan Novruzin: Sjelltë begati e mirësi në çdo vatër

Presidenti Bajram Begaj uroi sot besimtarët bektashinj për festën e Sulltan Novruzit, një ditë e konsideruar nga ta si më e bekuara e vitit, pasi shënon nisjen e Pranverës dhe përkon me ditëlindjen e Imam Aliut.
Presidenti uroi që kjo ditë të sjellë begati e mirësi në çdo vatër të çdo besimtari dhe të çdo shqiptari.
“Gëzuar Sulltan Novruzin, të dashur besimtarë bektashinj! Kjo ditë e shenjtë, që vjen së bashku me pranverën, sjelltë begati e mirësi në çdo vatër tuajën dhe të çdo shqiptari”, uroi Kreu i Shtetit.
Kjo festë njihet edhe ndërkombëtarisht prej Organizatës së Kombeve të Bashkuara si Dita Ndërkombëtare e Nevruzit.
Sulltan Novruzi është një festë e lashtë e jetës, rilindjes dhe triumfit të dritës mbi errësirën. Me rrënjë që shtrihen mbi 3000 vjet në epokën e Zoroastrianizmit, Nevruzi paralajmëron ardhjen e pranverës dhe festohet në ekuinoksin e pranverës.