Begaj vizitë zyrtare dyditore në Gjermani, takim kokë më kokë me Presidentin Steinmeier
Presidenti Bajram Begaj, niset sot në një vizitë zyrtare dyditore në Gjermani, me ftesë të homologut gjerman, Frank-Walter Steinmeier.
Të mërkurën (19 qershor), Begaj do të zhvillojë një takim kokë më kokë me Presidentin gjerman, pas së cilit do të mbahet edhe takimi bilateral i delegacioneve.
Ne fokus të takimit mes Presidentit Begaj dhe homologut Steinmeier do të jenë marrëdhëniet dypalëshe, procesi i integrimit të Shqipërisë në BE, zhvillimet në Ballkan, procesi i Berlinit që nxit afrimin e rajonit me BE-në, si edhe çështje të tjera të rëndësishme ndërkombëtare për sa i përket mbrojtjes dhe sigurisë.
Në Berlin, Presidenti Begaj do të takohet edhe me drejtuesit e shoqatave të Diasporës, me të cilët do të bisedojë mbi integrimin ekonomik, social dhe politik të shqiptarëve në Gjermani.
Pas Berlinit, Presidenti Begaj do të zhvillojnë një vizitë në Hamburg, ku do t’i bashkohet tifozëve kuqezi në “Volksparkstadion “ për të mbështetur Kombëtaren e Shqipërisë në përballjen me Kroacinë në Euro 2024.
Më pas, Presidenti Begaj do të pritet në një takim zyrtar nga kryetari i këtij landi, Peter Tschentscher.
Gjithashtu, në agjendën e Presidentit Begaj është parashikuar edhe një takim me Përfaqësuesin Special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, si dhe me ish-raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Knut Fleckenstein.