Begaj vlerëson Uisnerin para largimit: Mirënjohje SHBA-së për mbështetjen
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot të Ngarkuarin me Punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, z. David Uisner (Wisner).
Presidenti i Republikës shprehu edhe një herë mirënjohjen e tij për mbështetjen vendimtare që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i japin në vijimësi Shqipërisë, duke u shprehur, njëkohësisht, krenar për rolin në rritje që Shqipëria ka ndërmarrë në forcimin e partneritetit strategjik me SHBA-të.
Presidenti Begaj shprehu falënderimet e tij ndaj kontributit që z. Uisner ka dhënë gjatë shërbimit të tij në periudhën që shërbeu si i Ngarkuar me Punë në Tiranë.
Presidenti Begaj vlerësoi se falë përkushtimit dhe profesionalizmit të tij të lartë, marrëdhëniet e miqësisë së mirë me SHBA-të shënuan gjatë kësaj periudhe një etapë të shkëlqyer.
Uisner është në fund të mandatit si i dërguari i përkohshëm i Uashingtonit në Tiranë. Deri sa Senati amerikan të konfirmojë ambasadorin e ri, David Kostelancik, në fundjavë ai zbuloi edhe kush do e pasojë me një tjetër mandat të përkohshëm.
“Pasardhësja ime do të jetë një diplomate e aftë, Nancy VanHorn. Ajo vjen me përvojë shumë të madhe në Tiranë, pasi ka punuar në Ukrainë, Armeni dhe Rusi, mes detyrave të tjera që ka mbajtur,” deklaroi diplomati amerikan për gazetën “Panorama”.